Kurti bën fushatë për Çekun: Një profesionist i vërtetë, i ditur dhe vizionar për Prishtinën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje qytetarëve të Prishtinës që më 12 tetor të votojnë kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çekun, duke e cilësuar si “njeriun e duhur për një Prishtinë të zhvilluar, të pastër e të gjelbër”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Prishtinë janë “referendum për të ardhmen e kryeqytetit”.

Në një adresim publik, Kurti tha se qytetarët kanë përpara një zgjedhje të qartë “mes Prishtinës së stagnimit, privatizimit dhe korrupsionit, ose Prishtinës së barazisë, zhvillimit dhe vizionit”.

Ai e cilësoi kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çekun, si “njeri të përkushtuar, të ditur dhe profesionist të vërtetë”, duke shtuar se “Hajra është një nga ministrat më të mirë që ka pasur Kosova”.

Sipas Kurtit, Çeku, përmes platformës “Prishtina 2035”, paraqet një plan të qartë për një qytet funksional, të pastër, të gjelbër dhe plot jetë.

“Me Hajrën kryetar, Prishtina do të bëhet qyteti që frymon zhvillim, kulturë, sport e inovacion,” ka thënë Kurti, duke ftuar qytetarët që më 12 tetor të votojnë numrin 105 të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në fund, ai u bëri thirrje qytetarëve që të mbështesin Çekun dhe kandidatët e Vetëvendosjes për Kuvendin Komunal, me moton “Bashkë për Prishtinën tonë”.

Back to top button