Kurti: Dallimet me Ramën dhe partnerët ndërkombëtarë lidhen kryesisht me Serbinë

Kryeministri në detyrë i Kosovës thotë se përpiqet t’i “informojë e edukojë” aleatët, por qëndrimet karshi Beogradit mbeten pika e ndryshimit.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një bashkëbisedimi me shqiptarë në Federatën Pan-Shqiptare VATRA në New York, ka folur për marrëdhëniet e tij me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, si dhe me aleatët ndërkombëtarë.

Kurti tha se ka dallime me Ramën dhe partnerët ndërkombëtarë, kryesisht mbi qëndrimet karshi Serbisë.

“Tash, a ka ndonjë dallim? Ka dallime. Unë kam dallime me kryeministrin Rama, kam dallime jo rrallë edhe me partnerët tanë. Por në përgjithësi, mund të them që këto dallime kanë të bëjnë për qëndrimin karshi Beogradit zyrtar. Qaty po dallojmë. Këtu po dallojmë. Nuk mund ta fsheh këtë gjë. Unë përpiqem që t’i informoj e t’i formoj e t’i edukoj me të gjitha aftësitë e mia, por ato nuk janë të pakufishme”, ka deklaruar Kurti, sipas një video të publikuar nga Bashkim Berisha.

Ai shtoi se dallimet nuk burojnë nga mllefi apo inati, por janë të bazuara në sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

Pavarësisht këtyre dallimeve, Kurti theksoi se nuk ka pengesa për “të ecur përpara”, duke përmendur edhe nismën e Ballkanit të Hapur. Sipas tij, procesi merr kohë, por kjo nuk reflekton mos-pajtim me Qeverinë e Kosovës, por thjesht nevojën për koordinim dhe diskutim më të gjerë.

Back to top button