
Presidentja në detyrë, Albulena Haxhiu dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë bërë homazhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi në tetë-vjetorin e vdekjes së tij.
Haxhiu ka thënë se Demaçi i përkiste atij brezi që e përjetoi rëndë mohimin e të drejtave të shqiptarëve por që kishte zgjedhur të mos heshte dhe heshtja i kushtoi me 28 vjet burg.

“Kaloi 28 vjet në burg, por as burgimi dhe as përndjekja nuk e bënë të hiqte dorë nga bindjet e tij dhe nga kërkesa për lirinë e Kosovës. Emri i Adem Demaçit kishte kaluar kufijtë e Kosovës shumë kohë para se Kosova ta fitonte lirinë. Amnesty International e mori në mbrojtje si të burgosur të ndërgjegjes, në Senatin amerikan u kërkua lirimi i tij, ndërsa Parlamenti Evropian e nderoi me Çmimin Saharov për qëndrimin e tij përballë një regjimi autoritar”, ka thënë Haxhiu në Facebook.
Ndërsa kryeministri Kurti, ka thënë se Demaçi ka qenë shembull i pathyeshmërise dhe vuajtjet i kthente në forcë.
Kurti në kujtim të Demaçit shkroi gjithashtu se ai me të drejtë është Mandela i shqiptarëve dhe Evropës.
“Ai u rrit, mbajti 28 vjet burg, vazhdoi jetën duke mos u lëkundur asnjëherë nga rruga dhe idealet që kishte nisur. Baca Adem e kishte kuptuar dialektikën e jetës ngaqë nuk i frikësohej vdekjes. Ai jetonte mes lirisë dhe burgut. Vuajtjet i kthente në forcë, dhuna ia farkëtonte rezistencën teksa vepra i bëhej i pavdekshme. Ai e ‘kishte vrarë vdekjen’”, ka thënë Kurti në faqen e tij në Facebook.



