Kurti kërkon hetim për Exit Poll-et: Jo huqje, por inxhiniering i paramenduar

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka bërë thirrje për hetim nga organet e drejtësisë dhe të sigurisë pas mospërputhjeve të mëdha mes rezultateve të Exit Poll-eve dhe atyre zyrtare në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që organet e drejtësisë dhe të sigurisë të nisin hetime lidhur me mënyrën se si u raportuan rezultatet e Exit Poll-eve gjatë natës së zgjedhjeve lokale të mbajtura më 12 tetor.

Kurti ka deklaruar se devijimet e mëdha në disa komuna, veçanërisht në Mitrovicë, nuk mund të cilësohen si “huqje” apo “gabim teknik”, por si një “inxhiniering i paramenduar për ndërhyrje flagrante në procesin zgjedhor”.

“Ajo çka ndodhi më 12 tetor rreth raportimeve për Mitrovicën, duhet hulumtuar e hetuar. Nuk bëhet fjalë vetëm për një huqje, por për një inxhiniering të paramenduar për ndërhyrje flagrante në procesin zgjedhor. Exit Poll-et e prezantuara gabimisht me 16 pikë përqindje dallim e më tepër, nga më shumë se një organizatë dhe për të njëjtën komunë – si dhe postimi i lajmeve të rreme se kush ishte fitues ende pa u mbyllur vendvotimet – nuk janë thjesht një huqje. Kjo është cenim i demokracisë, i zgjedhjeve të lira dhe i integritetit e sigurisë së shtetit tonë”, tha Kurti.

Kreu i Qeverisë në detyrë theksoi se qëllimi i Vetëvendosjes është i qartë:

“Synimi ynë është i qartë – që kandidatët tanë të fitojnë në balotazh.”

Back to top button