
Mandatari për kryeministër thotë se partitë parlamentare nuk pranuan bashkëqeverisje, duke lënë vendin pa qeveri të re dhe pa buxhet të miratuar për vitin e ardhshëm.
Mandatari për formimin e Qeverisë së re, Albin Kurti, ka deklaruar se përkundër përpjekjeve, nuk ka arritur të sigurojë një koalicion qeverisës. Ai tha se askush prej partive parlamentare që janë ftuar në bisedime nuk ka pranuar të bashkohet në qeverisjen e re, ndonëse rezultati i zgjedhjeve kishte përcaktuar qartë nevojën për koalicion.
“Sipas votës së qytetarëve duhej të kishte bashkëqeverisje. Po të pranohej oferta, sot do t’i kishim ofruar vendit qeverinë dhe do t’i kishim numrat për ta kaluar edhe sfidën e presidentit”, theksoi Kurti gjatë adresimit të tij publik.
Ai theksoi se vendi ka nevojë urgjente për funksionim institucional dhe miratimin e buxhetit për vitin e ardhshëm, duke kërkuar mbështetjen e Kuvendit për të siguruar këtë vijimësi.



