
Mandatari për kryeministër premton masa për buxhetin e vitit 2026, pensionet, shtesat për fëmijë, pagën minimale dhe të drejtat e veteranëve.
Mandatari për kryeministër, Albin Kurti, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit për zgjedhjen e qeverisë së re, ka paraqitur pesë vendimet e para që tha se do të miratohen brenda javës së parë të Qeverisë, nëse ai merr për të tretën herë besimin e deputetëve.
Kurti deklaroi se prioriteti i parë do të jetë miratimi i Projektligjit të Buxhetit për vitin 2026, duke theksuar nevojën për stabilitet institucional dhe financiar.
Ai paralajmëroi edhe vendime të menjëhershme sociale, të cilat sipas tij do të prekin drejtpërdrejt qindra mijëra qytetarë. Në mesin e tyre, caktimi i pensionit minimal në vlerë prej 150 euro për rreth 200 mijë pensionistë, rritja për 50% e shtesave për fëmijë që përfshijnë rreth 400 mijë fëmijë, si dhe rritja e pagës minimale në 500 euro për një numër të madh të punëtorëve të sektorit privat.
Vendimi i pestë që Kurti tha se do të merret, lidhet me veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke njoftuar miratimin e ndryshimeve ligjore që do të heqin kufizimet në punësimin e tyre në sektorin privat.
“Këto vendime do të sigurojnë mbrojtje sociale më të mirë dhe do të përforcojnë drejtësinë ekonomike në vend”, u shpreh ai para deputetëve.



