Kusari-Lila: Do ta zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por s’do të votojmë kandidat të Listës Serbe

Kryetarja e Alternativës dhe deputetja e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, tha se respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, por theksoi se ai nuk mund të ndikojë në vullnetin politik të deputetëve.

Kryetarja e Alternativës, njëherësh deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se subjekti i saj do ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatoi se Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar plotësisht për shkak të mungesës së zgjedhjes së një nënkryetari nga komuniteti serb.

Në një intervistë për RTV21, Kusari-Lila tha se Gjykata jep vlerësime në aspektin juridik e ligjor, por nuk mund të ndikojë në vendimet politike të Kuvendit dhe të deputetëve.

“Mbetet të shihet aktgjykimi final, por si gjithmonë kemi pranuar vendimet e Gjykatës. Kemi zbatuar njësoj edhe deri tani në dy aktgjykimet paraprake. Gjykata jep vlerësimin e vet në aspektin juridik dhe ligjor, ndërsa ne marrim vendimet politike. Gjykata mund të vlerësojë procesin e votimit në aspektin ligjor, por nuk mund të imponojë vullnetin politik,” tha ajo.

Kusari-Lila sqaroi se deputetët e Vetëvendosjes nuk do të votojnë asnjë kandidat të Listës Serbe për postin e nënkryetarit të Kuvendit, duke e cilësuar këtë si qëndrim të pandryshuar të grupit parlamentar.

“Kjo mbetet e pandryshuar prej momentit kur është bërë publike se Kuvendi nuk është konstituuar,” përfundoi ajo.

Back to top button