
Dorëheqja e Aliut lidhet me zgjedhjen e Bashës kryetar të Kuvendit; ministria që ai udhëhoqi i besohet tani Bashës.
Liburn Aliu ka dhënë dorëheqje nga pozita e Ministër i Infrastrukturës dy muaj më parë, pas zgjedhjes së Dimal Bashës në krye të Kuvendit të Kosovës. Aliu, një nga themeluesit e Lëvizjes Vetëvendosje, njoftoi vendimin menjëherë pas zgjedhjes së Bashës, duke theksuar se zgjedhja e kryeparlamentarit nuk ishte në përputhje me idealet që e kishin motivuar angazhimin e tij politik.
“Konsideroj që zgjedhja e djeshme e Kryetarit të Kuvendit, institucionit më të lartë, ku vendosen ligjet dhe jep llogari qeveria, nuk është në frymën e në lartësinë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua,” kishte shkruar Aliu në Facebook.
Sot, Kryeministri në detyrë Albin Kurti prezantoi një përbërje të re të qeverisë, e cila nuk arriti të miratohej nga deputetët. Në këtë përbërje, Kurti vendosi t’i besojë Dimal Bashës ministrinë e Infrastrukturës, dikasterin që në mandatin e fundit udhëhiqej nga Aliu.
Aliu nuk mori pjesë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, ndërsa Basha, pas zgjedhjes në krye të Kuvendit, arriti një nga pozicionet më të larta në karrierën e tij politike.



