Lumir Abdixhiku: Budallaki politike me blloku Kosovën për një nënkryetar serb

Kryetari i LDK-së kritikon ashpër bllokadën institucionale, duke e quajtur “grackë të populizmit” që po e mban vendin pa qeveri dhe kuvend funksional.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj situatës aktuale politike në vend, duke e cilësuar si “budallaki të llojit të vet” bllokadën e krijuar për zgjedhjen e nënkryetarit serb të Kuvendit të Kosovës.

Në një intervistë për emisionin Pressing, Abdixhiku tha se vendi ndodhet në “grackë të budallakisë populiste”, ndërsa theksoi se si pasojë e kësaj krize, Kosova ka mbetur pa institucione funksionale.

“Bllokadë e paarsyshme, e kotë. Kemi ra në grackën e budallakisë politike populiste për një pozitë të parëndësishme, por në thelb të kësaj bllokade Kosova s’ka kuvend, s’ka institucione, s’ka qeveri legjitime, s’ka buxhet, s’ka projekte kapitale,” – deklaroi Abdixhiku.

Ai shtoi se pret aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar dy çështje kyçe:
1. Nëse propozimi për nënkryetarin e pestë i takon komunitetit serb në tërësi apo partisë më të madhe të atij komuniteti;
2. Nëse deputetët kanë të drejtë të zgjedhin përfaqësuesin nga komunitetet joshumicë.

“Jemi ra pre e një çmendurie politike të populistëve për një pozitë që është më shumë simbolike sesa thelbësore,” – theksoi Abdixhiku.

Sipas tij, përplasjet rreth kësaj çështjeje po e mbajnë Kosovën në ngërç institucional dhe po pengojnë zhvillimin ekonomik e funksionimin normal të shtetit.

Back to top button