
Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, e ka përfunduar intervistimin në stacionin policor të Skenderajt lidhur me rrahjen fizike të zëvendësministrit të Financave, Hysni Mehani, gjatë ditës së djeshme në një kafene të qytetit.
Pas intervistimit, Lushtaku ka thënë se krejt kjo që ka ndodhur këto dy ditë është politike dhe se kryeministri në detyrë Albin Kurti po do të viktimizohet në prag të fushatës për zgjedhjet e 7 qershorit.
“Krejt kjo që ka ndodh është politike. Albin Kurti do që përmes aksioneve të tilla të viktimizohet. Në kushte normale nuk do të isha intervistuar”, ka thënë ai.
Lushtaku tutje ka thënë se nuk e di se në çfarë cilësie është intervistuar dhe se pret “të lirohen prej kësaj që ka shpif Hysni Mehani”.
Tutje, ai pati kritika se pse u soll dje Njësia Speciale në Skenderaj.
“Është tepër e rëndë për qytetarët e Skenderajt, nuk e meritojnë as komunat e tjera që njësitë speciale me armë të gjata ta provokojnë qytetarin e këtij vendi që kanë dhënë shumë për Kosovën. Besoj që nuk duhet me shku kerku pa arsye e pa nevojë. Ata janë policë të Kosovës që i respektojmë shumë”, shtoi Lushtaku.



