Memli Krasniqi: Lladrovci fitoi me gjysmën e votave të PDK-së dhe votave të VV-së

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka pranuar se rezultati në Drenas ka qenë një prej zhgënjimeve të këtyre zgjedhjeve lokale, duke theksuar se humbja erdhi si pasojë e ndarjes në dysh të votës brenda elektoratit të PDK-së dhe transferit të votave nga partitë e tjera, veçanërisht nga Vetëvendosje.

“PDK humbi në Drenas pas ndarjes në dysh të votës, me një shtesë të transferit të votave nga partitë tjera – Vetëvendosje në veçanti,” tha Krasniqi në një konferencë për media, pas përfundimit të raundit të parë të zgjedhjeve.

Në këtë komunë, fitues doli Ramiz Lladrovci, me iniciativën e tij qytetare, duke i shkaktuar një goditje të papritur partisë që historikisht ka dominuar Drenasin.

Krasniqi pranoi se rezultati “la shije të hidhur”, por theksoi se për PDK-në rezultatet në nivel nacional janë më të rëndësishme se ato lokale.

“Asnjëra parti politike, e as ne në PDK, nuk i arritëm objektivat e plota në këtë garë. Natyrisht, na la shije të hidhur humbja në Drenas. Ishte përsëritje e situatës së para katër viteve, kur elektorati ynë u nda në dy taborre. Por kësaj here, kundërkandidati e mori besimin e qytetarëve,” tha ai, duke i uruar Lladrovcit fitoren.

Kreu i PDK-së shtoi se pavarësisht zhgënjimit lokal, lojaliteti i qytetarëve të Drenasit ndaj PDK-së në nivel qendror mbetet i fortë.

“Më vjen keq që qytetarët u vendosën në pozitë të vështirë nga konfuzioni i fushatës, por besoj se mbështetja e përhershme për PDK-në në zgjedhjet nacionale do të vazhdojë,” tha Krasniqi.

Për kandidaturën e Lladrovcit: “Vendim statutor i kryesisë”

I pyetur nga gazetarët nëse ishte gabim zëvendësimi i Ramiz Lladrovcit me Petrit Hajdarin si kandidat zyrtar i PDK-së në Drenas, Krasniqi tha se ky ishte vendim i Kryesisë, i marrë në përputhje me Statutin dhe rregullat e partisë.

“Vendimet që i merr një parti bazohen në Statut dhe në rregulla të miratuara. Më i rëndësishëm është rezultati final, dhe aty PDK prapë është ndër forcat udhëheqëse në nivel vendi,” tha ai.

Sa i përket paralajmërimit të Lladrovcit se “do të kthehet në zyrat e PDK-së në Drenas”, Krasniqi tha se sipas informacioneve të tij, Lladrovci i referohej zyrave të vjetra ku partia ka qëndruar më herët.

“Zyret e PDK-së janë aty ku është kryesia legjitime e saj. Gara ka përfunduar, dhe tash fokusi ynë është në balotazh,” deklaroi ai.

“Transferi i votave” nga Vetëvendosje ndikoi rezultatin

Duke u rikthyer te rezultati i Drenasit, Krasniqi tha se ndarja e votës së PDK-së dhe transferi i votave nga Vetëvendosje në mbështetje të Lladrovcit ishin faktorët kryesorë që e përcaktuan rezultatin.

“Vota e PDK-së u nda në dysh, pastaj transferi i votës nga partitë e tjera – e sidomos nga Vetëvendosje – e dha këtë rezultat. Kjo është legjitime, sepse çdo kryetar do të dëshironte t’i merrte votat e të gjithëve dhe ta përfundonte garën pa balotazh,” përfundoi Krasniqi.

Back to top button