
Debati mes kandidatit të VLEN-it dhe atij të AKI-së u tensionua pas akuzave për ndërtime luksoze pa leje në Çair.
Në përballjen televizive të zhvilluar në emisionin “Top Tema”, kandidati i koalicionit VLEN për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, është përplasur me kundërkandidatin e tij nga radhët e AKI-së, Bujar Osmani, lidhur me temën e ndërtimeve pa leje.
Gjatë debatit, Osmani foli për shtëpinë e babait të tij të ndjerë në lagjen Serovë, duke u përpjekur të sqarojë se ajo ishte ndërtuar në kushte të vështira. Mirëpo, Mexhiti reagoi menjëherë, duke theksuar se nuk bëhej fjalë për atë shtëpi, por për një tjetër ndërtesë, të ndërtuar sipas tij në mënyrë të paligjshme.
“Nuk bëhet fjalë për shtëpinë tënde në Serovë, që është ndërtuar si e egër në komunizëm, por po flas për shtëpinë tënde në Fushë Topanë, në lagjen elitare. Me vetë faktin që nuk është ndërtuar me leje ndërtimi. Andaj, nëse do të fillosh me shembjen e ndërtimeve të egra, shtrohet pyetja: A do të fillosh nga shtëpia jote?”, tha Mexhiti gjatë debatit.
Ky moment u cilësua si një nga pikat më të forta të përballjes televizive, teksa Mexhiti theksoi se tema e legalitetit dhe ndërtimit pa leje nuk duhet të përdoret për qëllime politike nga ata që vetë, sipas tij, nuk kanë respektuar ligjin.



