
Ministrja në Qeverinë e Serbisë, Snežana Paunović, ka shkaktuar reagime me një deklaratë të bërë gjatë një interviste për mediat serbe, ku ka folur për ish-presidentin serb, Sllobodan Millosheviq, dhe luftën në Kosovë.
“Po të isha unë Sllobodan Millosheviq do ta kisha spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998”, një deklaratë skandaloze për shkak të referimit ndaj spastrimit etnik të shqiptarëve të Kosovës gjatë periudhës së luftës së viteve 1998–1999.

“Dhe ky është kualifikimi më i ashpër që e kam thënë ndonjëherë. Jo në mënyrën se si po duan ata të na likuidojnë neve, por në atë mënyrë që të mos ndihen pjesë e Serbisë dhe të shkojnë në shtetin e tyre amë”, ka thënë ajo.
Paunoviq është e njohur për qëndrimet e saj anti-Kosovë. Në vitin 2022, kur ajo ishte nënkryetare e Kuvendit të Serbisë, kishte kërkuar arrestimin dhe shpërnguljen e depuettit të vetëm shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi. Ai këtë e pati bërë të ditur përmes një postimi në Facebook.
“Nëse kemi gabuar me lirimin e Albin Kurtit nga burgu, mos të gabojmë me mosarrestimin e Shaip Kamberit. Nëse nuk është e mundur kjo ta shpërngulim nga këtu”, kishte deklaruar ajo në seancën parlamentare ku ishte debatuar për dialogun Kosovë-Serbi.



