Murati u bën thirrje deputetëve të votojnë buxhetin 2025 për Prishtinën, Gjilanin dhe Zubin Potokun

Ministri në detyrë kërkon miratimin urgjent të buxheteve komunale përmes procedurës së përshpejtuar 72-orëshe që të mundësohen pagesat e faturave të grumbulluara

Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka ftuar deputetët e Kuvendit të Kosovës që të miratojnë sa më parë buxhetin e vitit 2025 për komunat e Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut.

Përmes një postimi në Facebook, Murati ka theksuar se miratimi i buxheteve do të krijonte mundësinë që komunat të fillojnë pagesën e faturave të grumbulluara si pasojë e mungesës së buxhetit, që sipas tij, ka ndikuar në vonesa të shumta në funksionimin e shërbimeve komunale.

“Tash që Kuvendi i Kosovës është i konstituuar, deputetët mund ta miratojnë edhe buxhetin e vitit 2025 për komunat e Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut, dhe të krijohet mundësia që komunat të paguajnë faturat e grumbulluara si pasojë e mungesës së buxhetit”, ka shkruar Murati.

Ai ka njoftuar se Qeveria tashmë ia ka përcjellë Kuvendit materialin buxhetor për këto tri komuna, të cilat nuk e kishin miratuar buxhetin brenda afatit ligjor. Sipas tij, Kuvendi mund t’i miratojë buxhetet përmes procedurës së përshpejtuar prej 72 orësh, çka do të hapte rrugën që komunat të fillojnë pagesat që nga java e ardhshme.

Murati u ka bërë thirrje deputetëve të opozitës që të lënë anash përplasjet politike dhe të veprojnë në interes të qytetarëve. “Uroj që deputetët e opozitës të lënë anash inatin politik e të bëjnë veprimin e duhur, fillimisht duke themeluar komisionet parlamentare, e pastaj edhe duke votuar për buxhetet e këtyre komunave”, ka përfunduar ai.

Back to top button