Ndërprerja e transportit publik, Kuvendi i Prishtinës mban sot seancë të jashtëzakonshme

Kuvendi Komunal i Prishtinës do të mbledhet sot në një seancë të jashtëzakonshme, e cila pritet të nisë nga ora 15:00, për të diskutuar mbi mjetet vetanake dhe buxhetin e kryeqytetit për vitin 2026. Seanca vjen pas situatës së tensionuar të krijuar nga bllokimi disa ditor i transportit publik, si pasojë e grevës së “Trafikut Urban” dhe operatorëve privatë.

Gjatë ditëve të fundit, ndërprerja e qarkullimit të autobusëve publikë dhe privatë ka shkaktuar kolona të gjata dhe vështirësi të konsiderueshme për qytetarët e Prishtinës, në një kohë kur Komuna përballet me sfida financiare të theksuara.

Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në seancë dhe kanë paralajmëruar votën pro bartjes së të hyrave vetanake të kryeqytetit. Asamblisti i kësaj partie, Egzon Azemi, tha se përgjegjësia për vlerësimin e ligjshmërisë së vendimeve të Kuvendit i takon Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

“MAPL-ja është ajo që e vlerëson çdo vendim të Kuvendit nëse është ligjor apo jo. Qëndrimi ynë është që për këtë pikë do të marrim pjesë në seancë. Është një mbledhje e thirrur shumë vonë. Këtë z. Rama ka mundur ta bëjë edhe në muajin tetor, edhe në shtator, kur nuk do të kishte polemika të tilla fare”, deklaroi Azemi.

Ndërkohë, transportuesit e “Trafikut Urban” dhe operatorët privatë protestuan dje para Komunës së Prishtinës dhe Qeverisë, duke kërkuar pagesat e papërmbushura. Sindikalistët kanë deklaruar se greva do të vazhdojë derisa kërkesat e tyre të plotësohen.

Kryetari i sindikatës së Trafikut Urban, Ilmi Gashi, e quajti mbledhjen e sotme legjitime dhe paralajmëroi vazhdimin e grevës nëse nuk merret një vendim i qartë.

“Nëse nuk ka zgjidhje, greva vazhdon deri në alokimin e mjeteve që është ndaj operatorëve. Ne po shpresojmë që nesër do të mbarojë, po shpresojmë që në këtë mbledhje do të mbizotërojë arsyeja”, u shpreh Gashi.

Back to top button