Nis ndërtimi i autostradës Shkup–Bllacë, Kurti e Mickoski vendosin gurthemelin

Ka nisur zyrtarisht ndërtimi i autostradës Shkup–Bllacë, projekt që pritet ta përmirësojë ndjeshëm lidhjen rrugore mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

Në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit morën pjesë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, dhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, të cilët hodhën lopatat e para të projektit.

banner

Autostrada do të ketë gjatësi prej 10.5 kilometrash dhe pritet të përfundojë brenda katër viteve. Ajo do të lidhet me segmentin prej 1.5 kilometrash që tashmë është ndërtuar pranë pikës kufitare në Bllacë.

Sipas të dhënave të prezantuara në ceremoni, projekti parasheh ndërtimin e pesë tuneleve, tetë urave, 11 nënkalimeve, katër galerive dhe nëntë mureve mbajtëse. Punimet do t’i realizojë kompania “Granit” AD Shkup.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se autostrada ka rëndësi që shkon përtej infrastrukturës.

“Në këtë moment po vendosen gurëthemelet e një lidhje të re moderne midis dy vendeve tona, autostrada Shkup – Bllacë do të jetë me pesë tunele, tetë ura, e katër galeri do ta forcojë shumë më tepër lidhjen infrastrukturore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, rëndësia e saj shkon përtej infrastrukturës, përveq që do të shkurtohet distance do të lehtësohet lëvizja dhe do të krijohen mundësi të reja bashkëpunimi për qytetarët dhe ekonomitë e dy vendeve tona”, tha Kurti.

Për rëndësinë e projektit ka folur edhe lideri i VLEN-it dhe kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.

“Sot vendosëm gurthemelin e autostradës Shkup–Bllacë, një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore për vendin dhe për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut”, tha Mexhiti.

Ai theksoi se autostrada do t’i afrojë Shkupin dhe Prishtinën, si dhe do ta lehtësojë lëvizjen e qytetarëve dhe bizneseve.

“Është rruga që lidh Shkupin me Prishtinën. Dy kryeqendra, dy ekonomi, mijëra familje, biznese e njerëz që çdo ditë lëvizin mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut”, u shpreh Mexhiti.

“Sot nuk flasim për atë që do të bëhet. Sot e nisëm!”, shtoi ai.

Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Koce Trajanovski, tha se bëhet fjalë për një prej projekteve më të ndërlikuara infrastrukturore për shkak të terrenit kodrinor-malor.

Financimi i projektit është siguruar përmes një huaje prej 167.6 milionë eurosh nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, një granti prej 30.82 milionë eurosh nga Korniza për Investime për Ballkanin Perëndimor, si dhe mjeteve të tjera për shpronësim dhe projektim.

Sipas autoriteteve, autostrada e re do ta shkurtojë kohën e udhëtimit mes Shkupit dhe kufirit me Kosovën, do ta rrisë sigurinë në komunikacion dhe do ta fuqizojë lidhjen ekonomike mes dy vendeve.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.