Osmani: Kompromisi kërkohet për Qeverinë, Kuvendin e presidentin

Prijësja e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 7 qershorit, Vjosa Osmani, ka thënë se rezultatet zgjedhore kanë treguar se kompromisi mes partive do të kërkohet për formimin e Qeverisë, për udhëheqjen e Kuvendit por edhe për presidentin.

Rezultatet preliminare të zgjedhjeve kanë nxjerrë Vetëvendosjen sërish fituese me 48 ulëse në Kuvend. Partia Demokratike pritet të marrë 24 ulëse e LDK-ja 20. Aleanca ka siguruar 8 ulëse. Në Kuvendin me 120 deputetë, kërkohen 61 vota për të formuar Qeverinë dhe zgjedhur kryeparlamentarin, por për presidentin kërkohen të paktën 80 në dy rundet e para. Ishte pikërisht mosgjetja e zgjidhjes për presidentin që çoi në zgjedhjet e qershorit, vetëm gjashtë muaj pas zgjedhjeve të dhjetorit. Në ato zgjedhje VV-ja pati 51 për qind dhe arriti ta krijonte e vetme Qeverinë bashkë me deputetët e komuniteteve. Kjo në bazë të rezultateve aktuale konsiderohet zor e arritshme.

banner

Në një intervistë për CNN-in, Osmani ka deklaruar se mesazhi i qytetarëve në zgjedhje ishte se “nuk ka vend për politikë të llojit ‘show i një njeriu’”.

“Kosova gjithmonë ka qenë një model për demokracinë ku sa herë që forcat politike janë bashkuar mbi çështjet e interesit kombëtar, sa herë që kanë punuar së bashku, gjithmonë ka pasur zgjidhje që kanë sjellë përfitime për popullin tonë, kanë sjellë përfitime për vendim brenda vendit, por edhe ndërkombëtarisht. Ne kemi ecur përpara. Prandaj shpresoj shumë që ky mesazh i qytetarëve të lexohet në mënyrën e duhur nga të gjitha forcat politike. Sigurisht që nga ana jonë do të lexohet në mënyrën e duhur. Dhe çdo përpjekje nga ana jonë do të fokusohet në gjetjen e kompromisit dhe krijimin e institucioneve sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të mund të ecim përpara me disa vendime shumë të rëndësishme për interesin e vendit. Në këtë pikë, kompromisi është i nevojshëm jo vetëm për ta zgjedhur presidentin, por edhe për ta zgjedhur qeverinë e re dhe udhëheqjen e parlamentit. Pra për të tre institucionet, do të na duhet një kompromis i ri. S’mendoj se kompromisi duhet të shihet si një fjalë e ndyrë, ose diçka negative.  Përkundrazi, kompromisi është vlera më e mirë që mund ta kesh në politikë”, ka deklaruar Osmani.

Ajo e ka cilësuar urgjente çështjen e arritjes së një kompromisi, duke thënë se nëse për 60 ditë nuk zgjidhet presidenti i ri, Kosova shkon në zgjedhje të reja. Osmani ka thënë se LDK-ja është e gatshme për të diskutuar me të gjitha partitë, pos Listës Serbe.

Ajo ka thënë se pa institucione të themeluara shpejt, ëndrra e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Evropian mbetet larg.

Osmani nuk kishte mbështetjen e Vetëvendosjes për të marrë edhe një mandat si presidente. Pasi përfundoi mandati i saj dhe Kuvendi nuk zgjodhi emër tjetër, Kosova shkoi në zgjedhje. Osmani u rikthye në listën e LDK-së duke u prezantuar si kandidate për presidente. E mbi këtë çështje, pas zgjedhjeve, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se “nuk do të bëhet kompromis”. Ndërkaq Osmani ka thënë se s’do të bëhej pengesë.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.