Pandeli Majko pas vendimit në Hagë: Ku gabuam dhe pse e humbëm betejën me Serbinë?

Ish-kryeministri i Shqipërisë gjatë Luftës së Kosovës, Pandeli Majko, ka reaguar sërish pas vendimit të Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke ngritur pyetjen se “ku gabuam?”. Majko e ka cilësuar vendimin si një goditje që, sipas tij, tejkalon fatin individual të të dënuarve dhe prek mënyrën se si do të shkruhet historia e luftës së Kosovës. 

“Pas deklarimit të vendimeve të Hagës në dënimin për ‘krime lufte’ të drejtuesve të UÇK-së, vjen një reflektim i cili bllokohet nga pyetja ‘Ku gabuam?’”, ka shkruar Majko.

Ai ka thënë se nuk e bind as ngushëllimi se UÇK-ja “doli e pastër” nga procesi, duke argumentuar se dënimi i drejtuesve të saj krijon pasoja për perceptimin historik të luftës.

“UÇK po rikonsiderohet si një ‘ushtri e mirë’, por me drejtues të akuzuar për krime lufte”, ka shkruar Majko, duke shtuar se kjo do të ngrejë pyetje të vështira edhe te brezat e rinj.

Në vendimin e shkallës së parë, katër ish-krerët e UÇK-së u shpallën fajtorë për krime lufte, ndërsa akuzat për krime kundër njerëzimit u rrëzuan. Gjykata theksoi se procesi lidhej me përgjegjësinë individuale të të akuzuarve dhe jo me legjitimitetin e UÇK-së apo të luftës për pavarësi. 

Majko ka argumentuar se Serbia, sipas tij, do ta përdorë këtë vendim në betejën për interpretimin historik të luftës.

“Serbia dëshiron të fitojë LUFTËN e humbur në librat e historisë”, ka shkruar ai.

Sipas Majkos, dënimet e Thaçit dhe Krasniqit kanë peshë të veçantë edhe për shkak të rolit të tyre publik gjatë luftës, ndërsa ai ka paralajmëruar se vendimi mund të përdoret për atë që e quan “rikthim” të narrativës serbe për Kosovën.

Në fund, Majko ka bërë thirrje për reflektim kolektiv.

“Ndaj sot, reflektimi se KU GABUAM duhet të jetë kolektiv! Pyetja më e rëndë, është PSE në Hagë humbëm betejën me Serbinë? Përgjigja se na ‘tradhtuan’… është veç ngushëllim!”, ka shkruar ai.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.