
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) ka bërë të ditur se, pas aksionit për rrënimin e objekteve pa leje pranë Liqenit të Ujmanit, do të intensifikojë veprimet edhe në zonat përreth liqeneve të Batllavës dhe Badovcit.
Përmes një reagimi, ministria theksoi se mbrojtja e resurseve ujore është një prioritet strategjik kombëtar dhe se lirimi i pronave ujore nga uzurpimet dhe ndërtimet e paligjshme do të vazhdojë në të gjithë territorin e Kosovës.

“Në kuadër të të njëjtit prioritet strategjik, po shqyrtohen me intensitet të lartë edhe kërkesat institucionale që lidhen me uzurpimet dhe ndërtimet pa leje, sidomos rreth Liqenit të Batllavës dhe Liqenit të Badovcit, dy burime kyçe të furnizimit me ujë të pijshëm për qytetarët tanë”, thuhet në reagim.
Ministria sqaroi se aksioni i fundit në zonën e Liqenit të Ujmanit, ku me asistimin e Inspektoratit të MMPH-së dhe Policisë së Kosovës u rrënuan 16 objekte të ndërtuara pa leje në pronat e administruara nga N.P. “Ibër-Lepenci”, është vetëm një hap i këtij plani.
Sipas MMPH-së, të gjitha palët e përfshira në aksion ishin njoftuar paraprakisht në përputhje me procedurat ligjore.
Po ashtu, Inspektorati i ministrisë po vazhdon identifikimin e shkeljeve në zonat e mbrojtura dhe, pas përfundimit të verifikimeve, do të ndërmerren masa ligjore për rikthimin e këtyre hapësirave në funksion të interesit publik.
Reagimi i ministrisë vjen pasi disa misione diplomatike në Kosovë shprehën shqetësim për rrënimin e objekteve pranë Liqenit të Ujmanit, duke bërë të ditur se po i ndjekin nga afër zhvillimet lidhur me këtë çështje.



