
Gazeta Nacionale raporton se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka nisur hetimet lidhur me profilin anonim në Facebook “Lule Gjeli”, i cili prej vitesh ka publikuar postime ndaj figurave publike, gazetarëve, analistëve dhe politikanëve. Ndërsa sot e dje, pasuan reagime të shumta nga gazetarë dhe zyrtarë politikë.
Profili “Lule Gjeli” është kritikuar për publikimin e përmbajtjeve fyese, denigruese dhe akuzave ndaj personave të ndryshëm. Së fundmi, ai publikoi një postim në të cilin pretendohej në mënyrë të rreme se deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, kishte vdekur. Më herët, në këtë profil janë publikuar edhe pretendime me karakter personal ndaj ish-presidentes Vjosa Osmani, si dhe postime ndaj figurave të tjera publike.

Buzhala publikon pretendime për identitetin
Gazetari Berat Buzhala publikoi të premten informacione sipas të cilave personi që qëndron pas profilit “Lule Gjeli” është Gent Prokshi, i cili, sipas tij, është prezantuar edhe me emrin Taulant Bytyqi.
Në një postim tjetër, Buzhala pretendoi se Prokshi ka pasur lidhje me Kallxo.com dhe BIRN Kosovën, duke shkruar se në vitin 2020 një punonjës ishte larguar nga puna pasi kishte refuzuar të publikonte shkrime me emrin “Lule Gjeli”.
“Ky është Gent Prokshi, është prezentu si Taulant Bytyqi, kurse online si Lule Gjeli… Dil Gent. U kry loja”, shkroi Buzhala.
Këto pretendime nuk janë konfirmuar nga institucionet kompetente dhe deri më tani nuk ka pasur reagim publik nga personat e përmendur.
Mehmetaj ngre pyetje për Kallxo.com
Edhe gazetari Lirim Mehmetaj reagoi lidhur me rastin, duke publikuar një opinion të nënshkruar me emrin “Lule Gjeli”, i publikuar në Kallxo.com.
Mehmetaj ngriti pyetje publike për BIRN Kosovën, Kallxo.com dhe drejtoreshën Jeta Xharra, duke kërkuar sqarime se si një autor anonim ka publikuar përmbajtje në këtë medium.
Ai kërkoi të bëhet publik identiteti i autorit, si dhe ngriti pretendime se profili “Lule Gjeli” është hapur në Facebook në të njëjtën ditë kur është publikuar opinioni në Kallxo.com dhe se i njëjti tekst është publikuar po atë ditë edhe në mediumin serb KoSSev. Mehmetaj kërkoi sqarime publike dhe hetim nga institucionet kompetente.
Rama kërkon përgjigje nga BIRN
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i bëri thirrje publike BIRN Kosovës, Kallxo.com, Internews Kosovës dhe drejtoreshës Jeta Xharra që të sqarojnë nëse kanë bashkëpunuar me autorin e profilit “Lule Gjeli”.
Ai kërkoi të dihet kush është autori, nëse është paguar për publikimet, nëse ka pasur bashkëpunim tjetër dhe nëse ndonjë politikan ka qenë i përfshirë gjatë publikimit të opinioneve.
Rama paralajmëroi se, deri në sqarimin e plotë të çështjes, Kryeqyteti do të rishqyrtojë çdo formë bashkëpunimi institucional me BIRN Kosovën, ndërsa nëse sqarimet nuk janë bindëse, do të kërkojë ndërprerjen e bashkëpunimit.
Reagojnë PDK dhe LDK
Deputetja e zgjedhur e PDK-së, Blerta Deliu, tha se ka kontaktuar Prokurorinë Speciale dhe është informuar se tashmë është caktuar prokurorja që po merret me rastin, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që pretendojnë se janë dëmtuar nga ky profil të paraqesin dëshmitë e tyre.
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, kërkoi që hetimet të mos ndalen vetëm te administratorët e profileve, por të zbardhet nëse ka pasur organizim, koordinim apo mbështetje nga persona të tjerë.
Nga LDK reagoi edhe Festim Kabashi, i cili deklaroi se partia kishte bërë më herët denoncime në polici dhe kallëzim penal lidhur me profilin “Lule Gjeli”, por se, sipas tij, deri më tani nuk kishte pasur rezultate. Ai tha se, nëse konfirmohet identiteti i personit që qëndron pas profilit, ai duhet të përballet me përgjegjësi ligjore.
Po ashtu, deputeti i zgjedhur i LDK-së, Ermal Sadiku, reagoi pasi ishte objekt i postimeve të këtij profili, duke pretenduar se profile të tilla kanë dëmtuar debatin publik dhe kanë sulmuar kundërshtarët politikë.
Deri më tani, Prokuroria Speciale nuk ka bërë publike detaje mbi identitetin e personit apo personave që mund të jenë subjekt i hetimeve.
Gazeta Politika nuk ka arritur të vërtetojë në mënyrë të pavarur identitetin e personit që qëndron prapa profilit “Lule Gjeli”.



