
Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Aleancës nuk do të marrin pjesë në seancën për formimin e Qeverisë e cila u thirr nga ora 14, shkruan KOHA.
Partia Demokratike para fillimit të vazhdimit të seancës konstituive ka thënë se nuk do marrin pjesë në asnjë seancë deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkaq deputeti i Aleancës Burim Ramadani gjithashtu ka deklaruar se nuk do të marrin pjesë në këtë seancë, derisa e ka cilësuar antikushtetuese.
“Ne ofruam marrëveshje. Ata zgjodhën arrogancën. Ne ofruam zgjidhje. Ata zgjodhën krizën. Oferta jonë 6 pikëshe që nga 26 qershori ishte një mundësi dhe zgjatje dore për stabilitet e zgjidhje politike. Ata e refuzuan, sepse për ta postet janë më të rëndësishme sesa vendimet e mira për shtetin e qytetarët. Ne e konsiderojmë këtë proces jokushtetues dhe do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese. Aleanca zgjodhi Kosovën. Ata zgjodhën pushtetin e postet. Aleanca nuk merr pjesë në grumbullimin e orës 14:00 në sallën e Kuvendit, duke e konsideruar këtë si jokushtetuese”, ka shkruar ai.


