
Deputetë të PDK-së dhe Aleancës kanë vazhduar edhe sot aksionin para objektit të Qeverisë së Kosovës, ku këtë herë janë mbështetur edhe nga përfaqësues të institucioneve lokale, asamblistë dhe aktivistë politikë nga Skenderaj e Istogu. Të pranishmit janë mbledhur në orët e mëngjesit para objektit të Qeverisë, duke kërkuar nga mazhoranca që të marrë përgjegjësinë për funksionalizimin e institucioneve dhe vazhdimin e procesit të konstituimit të Kuvendit, raporton Ekonomia Online.
Fadil Nura nënkryetar i Skenderajt tha se janë aty për të mbështetur deputetët që, sipas tij, po mbrojnë rendin kushtetues dhe demokracinë në vend.

“Sot do të dëshmojmë, në të njëjtën kohë të mbështesim fuqishëm deputetët që sot janë të pranishëm këtu dhe që janë vënë në mbrojtje të rendit kushtetues, në mbrojtje të demokracisë, e cila po vazhdon të cenohet, dhe ne vlerësojmë si autoritete lokale në këtë rast që jemi pjesë integrale e sistemit kushtetues, se institucionet e Kosovës janë të themeluara mbi sakrificën dhe gjakun e bijve më të mirë, dhe kemi obligim përtej bindjeve politike të mbrojmë institucionet tona, t’i ndërtojmë ato. Prandaj shfrytëzoj rastin në emër të Komunës së Skenderajt t’i bëj thirrje mazhorancës që të re- reflektojë dhe të marrë përgjegjësinë në atë që ia kanë dhënë qytetarët, të themelojnë institucionet e shtetit dhe të ecim përpara. Edhe një herë, ne do të jemi krah deputetëve të Republikës së Kosovës që janë mbrojtës të sovranitetit, të Kushtetutës dhe të rendit kushtetues të Republikës”, tha Nura.



