
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas zhvillimeve në Skenderaj, duke akuzuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti për, siç tha ai, manipulim politik dhe nxitje të përçarjeve.
“Sot, Skenderaj u shfrytëzua për të nxitur përçarje mes qytetarëve, për të krijuar tensione artificiale dhe për të prodhuar një klimë konfrontimi politik”, shkroi Rama.
Ai akuzoi Kurtin se po përdor institucionet dhe policinë për qëllime politike.
“Kur një Kryeministër përdor institucionet, policinë dhe retorikën për të ndarë qytetarët dhe për të thelluar polarizimin shoqëror, ai nuk po qeveris – ai po manipulon”, deklaroi Rama.
Rama përmendi edhe refuzimin e Kurtit për t’iu përgjigjur ftesës së Prokurorisë Speciale.
“Ky është i njëjti kryeministër që ka refuzuar t’i përgjigjet ftesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Sipas tij, prania e forcave policore në Drenicë ishte e panevojshme dhe provokuese.
“Ta provokosh këtë trevë dhe ta etiketosh Kryetarin e saj si ‘Serbia’ është një akt i ulët”, u shpreh Rama.
Në fund, ai tha se tensionet politike dhe përçarjet janë të rrezikshme për Kosovën.
“Drenica nuk e meriton këtë. Kosova nuk e meriton këtë”, përfundoi ai.



