Plagoset me armë zjarri kandidati i BDI-së në Likovë, Prokuroria: Nuk dyshohet për motive politike

Dr. Zekirja Shahini, kandidat për këshilltar i BDI-së, u qëllua nga një makinë në lëvizje pranë Komunës së Kumanovës – autoritetet janë ende në kërkim të autorëve, ndërsa partia dënon ashpër sulmin.

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e 7 tetorit në Kumanovë, ku një person u plagos me armë zjarri në një rrugë pas ndërtesës së Komunës. Viktima është identifikuar si dr. Zekirja Shahini, 43 vjeç, nga fshati Sllupçan i komunës së Likovës – kandidat dhe bartës i listës së këshilltarëve të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) për zgjedhjet lokale të 19 tetorit.

Sipas Ministrisë për Punë të Brendshme, Shahini është qëlluar nga një automjet në lëvizje dhe është dërguar menjëherë në spitalin e Kumanovës, ku po trajtohet jashtë rrezikut për jetën. Televizioni Telma raportoi se ai është punonjës në Klinikën e Pulmologjisë në Shkup.

Nga Prokuroria Themelore Publike e Kumanovës bëjnë të ditur se dy prokurorë publikë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po mblidhen dëshmi materiale për ekspertizë. “Të dhënat fillestare nuk tregojnë për motive politike pas incidentit të armatosur, por të gjitha rrethanat po verifikohen”, thuhet në njoftim.

BDI ka reaguar menjëherë pas sulmit, duke e dënuar ashpër aktin e dhunës dhe duke kërkuar veprim të menjëhershëm nga autoritetet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve. “Fatmirësisht, jeta e tij është jashtë rrezikut. Kërkojmë nga MPB dhe Prokuroria Publike të veprojnë me transparencë të plotë dhe vendosmëri,” thuhet në reagimin e partisë. Në shenjë solidariteti, BDI ka pezulluar aktivitetet e ditës.

Ndërkohë, koalicioni VLEN ka shprehur keqardhje për plagosjen e mjekut Shahini dhe ka bërë thirrje për qetësi, duke theksuar se “dhuna nuk ka vend në shoqërinë tonë dhe asnjë rrethanë nuk mund ta justifikojë”.

Autoritetet janë ende në kërkim të autorit të ngjarjes, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të sqaruar plotësisht motivet dhe rrethanat e këtij sulmi.

Back to top button