
Sipas zëdhënësit Fadil Gashi, motoçikleta humbi kontrollin pas shpejtësisë së lartë në një kthesë, duke u përplasur me një veturë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka dhënë detaje për aksidentin tragjik të ndodhur sot në Bllagajë të Pejës, ku humbi jetën Eldion Kelmendi, vëllai i reperit Gjesti.
Në një prononcim për emisionin Frontal në T7, Gashi bëri të ditur se shkaktari i aksidentit ka qenë humbja e kontrollit nga vozitësi i motoçikletës, e cila ndodhi pas tejkalimit të shpejtësisë në një kthesë. Si pasojë, motoçikleta ka dalë në krahun tjetër të rrugës dhe është përplasur me një veturë.
Në motoçikletë ndodheshin dy persona: viktima që ndërroi jetë në vendngjarje dhe një tjetër i plagosur rëndë, i cili është duke u trajtuar në spitalin e Pejës.
Policia po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.



