Profesori amerikan propozon plan për marrëveshje historike: Serbia në NATO dhe modeli i Kosovës për Donbasin

Edward P. Joseph nga Universiteti John Hopkins sugjeron që SHBA, nën udhëheqjen e Donald Trump, të mundësojë një marrëveshje historike midis Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë anëtarësimin e të dyja vendeve në NATO si rrugë për stabilitet të përhershëm në Ballkan.

Profesori amerikan i Universitetit John Hopkins, Edward P. Joseph, ka publikuar një analizë të gjerë mbi zhvillimet aktuale mes Rusisë dhe Ukrainës dhe ndikimin e tyre zinxhiror në Ballkanin Perëndimor, me fokus në Kosovë dhe Serbi, shkruan Gazeta Express.

Në artikullin e tij, Joseph propozon një zgjidhje të guximshme: përdorimin e modelit të Kosovës për rajonin e Donbasit dhe shkëputjen e Serbisë nga ndikimi rus përmes një oferte për anëtarësim në NATO.

Sipas tij, nëse ish-presidenti amerikan Donald Trump do të arrinte të siguronte anëtarësimin e Serbisë në NATO, kjo do të përbënte një kthesë historike që do ta vendoste vendin më të madh dhe më destabilizues të rajonit nën ombrellën e Perëndimit.

“Kjo do të bënte që Ballkani të mos jetë më një shesh loje për luftën hibride ruse, ndërsa Trump do të mund të merrte meritat për mbylljen e dramës 35-vjeçare të Jugosllavisë”, shkruan Joseph.

Profesori amerikan përmend gjithashtu se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të ishte një sinjal i qartë se Aleanca Atlantike po merr vendime strategjike për stabilitetin e Ballkanit dhe të krahut Lindor. Ai beson se një hap i tillë mund të realizohet vetëm nga Donald Trump, i cili gëzon ende mbështetje në Serbi.

Joseph parashikon që Trump mund të ftojë udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë në Zyrën Ovale për të nënshkruar kushtet e anëtarësimit në NATO dhe një marrëveshje të re paqeje, që do të përfshinte zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të saj të Implementimit.

Në këtë kontekst, ai thekson se vetëm oferta për anëtarësim në NATO do të mund të bindte udhëheqësit kosovarë, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, që të pranojnë një formë të vetëqeverisjes për serbët e Kosovës përmes krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Marrëveshja historike e Presidentit Trump do të kodifikonte zyrtarisht marrëveshjen e fjetur të normalizimit të BE-së, duke i dhënë fund një periudhe të gjatë tensioni dhe pasigurie në rajon”, përfundon Joseph.

Back to top button