Rast i rëndë dhune në familje në Prizren: Burrë ther gruan dhe vajzën e mitur

Dy viktima janë dërguar në spital me gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe përballet me akuza për tentim vrasje dhe mbajtje të paautorizuar të armëve.

Një ngjarje e rëndë dhune në familje është raportuar të ketë ndodhur pas mesnate në Prizren, ku një burrë ka therur me thikë gruan dhe vajzën e tij të mitur. Viktimat janë dërguar menjëherë në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku sipas mjekëve, gjendja e tyre shëndetësore është e rëndë, bëri të ditur Prokuroria Themelore në Prizren.

Sipas komunikatës së Prokurorisë, rreth orës 00:20 të datës 17 tetor 2025, policia ka marrë informatën për rastin në rrugën “Rexhep Kabashi”. Patrulla policore ka ofruar ndihmën e parë viktimave deri në mbërritjen e ekipit mjekësor. Gruaja është gjetur në rrugë me lëndime trupore dhe gjakderdhje, ndërsa vajza e mitur është gjetur në katin e fundit të banesës, po ashtu me lëndime të rënda.

Policia dhe njësia e teknikës kriminalistike kanë dalë menjëherë në vendngjarje në koordinim me prokurorin kujdestar. Në hyrje të banesës, është arrestuar i dyshuari, i cili është shoqëruar në stacionin policor për procedura të mëtejshme.

Prokurori ka lëshuar aktvendim për ndalimin e të dyshuarit për 48 orë, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprave penale: “Vrasja e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Brenda afatit ligjor, Prokuroria do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Back to top button