
Ish-ambasadorja e Kosovës thotë se incidenti ishte momenti më i sikletshëm dhe thekson nevojën për ndjekje ligjore të dhunës fizike e verbale.
Vlora Çitaku, ish-ambasadorja e Kosovës, ka rikujtuar një incident që i ndodhi rreth tetë vite më parë në Universitetin e Colorados gjatë një diskutimi për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor. Një vajzë e re nga Kosova e quajti Çitakun “vrasëse dhe kriminele”, duke aluduar në rastin Dehari, dhe akuzoi Ambasadorin Christopher Hill se po promovonte “vrasësit”. Në përfundim, vajza i goditi me vezë si Çitakun, ashtu edhe ambasadorin.
Çitaku e përshkruan incidentin si “jashtëzakonisht të sikletshëm”, duke e detyruar të arsyetohej para audiencës që kishte ardhur për të dëgjuar rreth politikës së jashtme dhe aspiratave të Kosovës për BE dhe NATO. Ajo pranon se gabimi i saj atëherë ishte që nuk e raportoi incidentin tek organet gjegjëse, duke e amnistuar sulmin.
Sot, Çitaku thekson se rastet e dhunës fizike apo verbale duhet të ndiqen ligjërisht dhe se tolerimi i tyre ndikon në polarizimin e shoqërisë. Ajo shton se për dekada, eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë sharë, fyer dhe kërcënuar, duke kontribuar në tensionimin e ambientit shoqëror.



