
NATO po përballet me pasiguri rreth planit për të mbajtur një samit të aleancës në Shqipëri vitin e ardhshëm, mes rezistencës së administratës Trump dhe pakënaqësive të disa vendeve anëtare lidhur me nivelin e ulët të shpenzimeve të mbrojtjes nga Tirana, kanë deklaruar për Reuters një diplomat i NATO-s, një zyrtar evropian dhe tre burime të njohura me diskutimet.
Sipas këtyre burimeve, draft-deklarata për samitin e ardhshëm të NATO-s në Ankara nuk e përmend më organizimin e takimit pasues në Shqipëri, ndonëse më herët ishte parashikuar zyrtarisht që vendi të ishte mikpritës i tij.
Një diplomat evropian tha se versioni aktual i tekstit përmend vetëm se liderët presin takimin e radhës pa specifikuar kohën apo vendin e zhvillimit. “Draftet janë vetëm draft, nuk janë vendime,” u shpreh një zëdhënës i qeverisë shqiptare për Reuters, duke theksuar se procesi është ende në negociim.
Ndërkohë, një burim i përfshirë në diskutime tha se niveli i shpenzimeve të mbrojtjes në Shqipëri mund të shkaktojë pakënaqësi në Uashington, veçanërisht te Presidenti Donald Trump, nëse një samit do të zhvillohej në vend në vitin 2027.
Sipas diplomatëve, ky zhvillim vjen në një moment kur vendet evropiane të NATO-s po përpiqen t’i tregojnë administratës amerikane progres në përmbushjen e angazhimeve për rritjen e buxheteve të mbrojtjes, për të shmangur përplasje të hapura në samitin e Ankarasë.
Më herët, në një samit të zhvilluar në Hagë, udhëheqësit e aleancës kishin deklaruar se “presin takimin e radhës në Turqi në 2026 dhe më pas në Shqipëri”, ndërsa kishin rënë dakord për objektivin e rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes në 5% të PBB-së brenda një dekade.
Sipas marrëveshjes, 3.5% e PBB-së do të shkojë për mbrojtje bazë, ndërsa 1.5% për fusha të lidhura si siguria kibernetike dhe infrastruktura. Megjithatë, disa vende anëtare ende nuk kanë arritur objektivin e mëparshëm prej 2% të PBB-së.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se shumica e aleatëve janë afër këtij niveli, por disa vende, përfshirë Shqipërinë në vitet e fundit, kanë qenë nën prag, duke premtuar përmirësim gradual.
Qeveria shqiptare, në një deklaratë për Reuters, tha se po finalizon masat fiskale për të përafruar shpenzimet e mbrojtjes me angazhimet e NATO-s, duke synuar që në vitin 2026 të arrijnë 2.6% të PBB-së, ku 2.2% do të jetë shpenzim bazë për mbrojtjen dhe 0.4% për shpenzime të tjera të lidhura me sigurinë.
Pavarësisht pasigurisë aktuale, një diplomat evropian theksoi se Shqipëria ende mund të jetë mikpritëse e samitit, duke shtuar: “Po rrisin kapacitetet, do të shohim si do të përfundojë. Unë ende besoj se samiti i radhës do të jetë në Shqipëri.”



