Robelli: Ibrahim Rugova meriton vend nderi në institucionet e Kosovës

Publicisti Enver Robelli ka thënë se Ibrahim Rugova, për shkak të rolit të tij historik në përpjekjet për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, meriton një vend të përhershëm nderi në institucionet shtetërore.

Në një kolumnë për Telegrafin, Robelli ka shkruar se Kosova nuk ka ndonjë rregull të përcaktuar për vendosjen e fotografive të ish-presidentëve, ndonëse institucionet është dashur ta rregullonin këtë çështje shumë më herët.

“Dr. Rugova është rast i veçantë, sepse nga fundi i viteve 1980 deri kur ndërroi jetë më 2006 i ka prirë një lëvizjeje politike, e cila kishte për synim shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe bërjen e saj Republikë”, ka shkruar Robelli.

Sipas tij, Rugova meriton vend nderi për shkak të rolit historik, respektit që gëzon në popull dhe faktit se ishte politikani më i njohur i Kosovës në botë gjatë shekujve XX dhe XXI.

Robelli ka përmendur edhe praktikën e Shqipërisë, ku në zyrat shtetërore qëndron në mënyrë të përhershme fotografia e Ismail Qemalit.

Sipas tij, kjo është një zgjidhje kreative, pasi fotografia e themeluesit të shtetit nuk ndërrohet sa herë që merr detyrën një president apo presidente e re.

“Në Kosovë kjo mund të zgjidhej duke vendosur fotografinë e Ibrahim Rugovës në institucione”, ka shkruar ai.

Megjithatë, Robelli ka vlerësuar se një zgjidhje e tillë duket jorealiste, pasi secila parti politike ka figurat e veta që synon t’i vendosë në krye të historisë kombëtare.

“Unë e shoh në krye të kësaj galerie Ibrahim Rugovën. Të tjerët mund të kenë mendime të tjera dhe ato po ashtu meritojnë vëmendje”, ka përfunduar Robelli.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.