
Publicisti Enver Robelli ka reaguar ndaj qëndrimit të deputetëve të LDK-së që kundërshtojnë marrëveshjen për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president, duke kërkuar që ata të tregojnë qartë se cila është oferta e tyre politike.
“Të ‘rebeluarit’ e LDK-së vetëm duhet t’u tregojnë qytetarëve se për çka po ‘rebelohen’ dhe cila është oferta e tyre politike: zgjedhje të reja? Vazhdim i agonisë politike? Thellim i kaosit? Kaq respekt duhet të kenë së paku ndaj qytetarëve dhe të tregojnë: çfarë duan?”, ka shkruar Robelli.

Sipas tij, LDK-ja rrezikon të dalë e dëmtuar rëndë nëse vendi shkon sërish në zgjedhje.
“Gjasat që në periudhën afatmesme LDK të dalë parti e parë apo e dytë janë minimale, të paimagjinueshme. Gjasat janë frikshëm të mëdha që në zgjedhjet e provokuara sërish, LDK të përfundojë në shkretëtirë politike”, ka thënë ai.
Robelli ka pranuar se mosbesimi i LDK-së ndaj Vetëvendosjes është i kuptueshëm, por ka theksuar se në politikë koalicionet dhe marrëveshjet nuk janë të përhershme.
Ai ka kujtuar se LDK-ja vitin e kaluar kishte refuzuar ofertat e VV-së për koalicion, ndonëse atëherë kishte një pozitë të fuqishme negociuese.
Sipas Robellit, ende ka kohë për reflektim si për VV-në, ashtu edhe për LDK-në.
“Nga harakiri politik LDK nuk do të fitojë asgjë”, ka shkruar ai.
Robelli ka argumentuar se, nëse VV-ja me mbi 50 deputetë është pajtuar që posti i presidentit të mos i takojë asaj, atëherë edhe LDK-ja me 18 deputetë duhet të tregojë seriozitet shtetëror dhe ta mbështesë Bekim Sejdiun.
Sipas tij, Sejdiu i plotëson kërkesat që vetë LDK-ja ka vendosur për presidentin: të jetë mbipartiak, garant i rendit kushtetues, institucionalist dhe figurë me orientim të qartë shtetëror.
“Nëse të gjithë krerët e partive po thonë, zgjedhjet e reja janë të panevojshme, atëherë secili le të bëjë diçka për evitimin e tyre. Nuk mund t’i lihet faji përherë vetëm tjetrit”, ka përfunduar Robelli.
Postimi i tij i plotë:
Të “rebeluarit” e LDK-së vetëm duhet t’u tregojnë qytetarëve se për çka po “rebelohen” dhe cila është oferta e tyre politike: zgjedhje të reja? Vazhdim i agonisë politike? Thellim i kaosit? Kaq respekt duhet të kenë së paku ndaj qytetarëve dhe të tregojë: çfarë duan?
Gjasat që në periudhën afatmesme LDK të dalë parti e parë apo e dytë janë minimale, të paimagjinueshme. Gjasat janë frikshëm të mëdha që në zgjedhjet e provokuara sërish, LDK të përfundojë në shkretëtirë politike. Cilat janë planet pastaj? Prapë pyetjet e njëjta do të jenë të pranishme, por ndoshta atyre pyetjeve nuk do të kenë më mundësi t’u përgjigjen ata që rrezikojnë ta çojnë vendin sërish në zgjedhje.
Është i kuptueshëm mosbesimi i LDK-së ndaj VV-së. Në politikë asgjë nuk është e përhershme. Nuk kanë qenë të përhershme as koalicionet e LDK-së me PDK-në, e cila me një kohë, në mes të natës, nga kafehania “Zanzibar” në Prishtinë e pati prishur koalicionin me LDK-në, ashtu për pikë të qejfit. Për shkak të momentit të ndjeshëm politik dhe juridik (aktgjykimi në Hagë më 16 shtator) nuk është e udhës të shpalosen këtu më shumë detaje për mendimet e krerëve të LDK-së për PDK-në.
Vitin që shkoi LDK hodhi poshtë çdo ofertë të VV-së për koalicion. Atëherë VV nuk e kishte shumicën në Kuvend, LDK ishte në pozicion të fuqishëm. Por atëherë LDK më shumë i besonte “opozitës parapolitike” dhe zhurmaxhinjve të ndryshëm. Ndoshta koalicioni me VV nuk do të funksiononte për shkak të papërgjegjësisë së kësaj të fundit, por kjo bën vaki në politikë, ka ndodhur edhe në Gjermani, kur liberalët ikën nga qeveria. Dhe kur u mbajtën zgjedhjet, s’e kaluan as pragun. Bye, bye!
Ndoshta koalicioni VV-LDK do të kishte funksionuar dhe nuk do të ishin mbajtur fare zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe të 7 qershorit. Të gjitha partitë hyjnë në garë për të siguruar aq vende në parlament, saqë pjesëmarrja në qeveri të jetë e pashmangshme.
Koha për reflektim nuk ka mbaruar ende – as për VV-në, as për LDK-në. Nga harakiri politik LDK nuk do të fitojë asgjë. Nëse një partie me mbi 50 deputetë nuk i takon posti i presidentit (dhe VV është pajtuar me këtë), atëherë edhe një parti me 18 deputetë duhet të tregojë seriozitet shtetëror dhe të mbështet një kandidat tashmë të bërë publik – Bekim Sejdiu – që i plotëson edhe kërkesat e LDK-së fund e krye: mbipartiak, garant i mbrojtjes së rendit kushtetues, institucionalist, lojalist i dëshmuar ndaj vlerave të LDK-së, të luftës çlirimtare dhe të shtetndërtimit. Dhe këtu një rol pozitiv mund të luajnë edhe AAK, por edhe VV. Nëse të gjithë krerët e partive po thonë, zgjedhjet e reja janë të panevojshme, atëherë secili le të bëjë diçka për evitimin e tyre. Nuk mund t’i lihet faji përherë vetëm tjetrit.



