
Ish-komandanti i UÇK-së, Rrustem Mustafa – Remi, ka deklaruar se një koalicion mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), të cilin e quan “Koalicioni për Normalitet”, do të shënonte një kthesë të rëndësishme në politikën kosovare.
Sipas Mustafës, një bashkëpunim i tillë do ta zhvendoste vendin nga politika e krizave drejt një qasjeje të bazuar në zhvillim, maturi dhe përgjegjësi shtetërore.

“Koalicioni për Normalitet me PDK-në shënon kalimin nga politika e krizave te ajo e zhvillimit, maturisë dhe përgjegjësisë shtetërore. Është zotim për institucione funksionale, aleanca normale ndërkombëtare dhe fokus në mirëqenien e përditshme të qytetarëve tanë”, ka shkruar Mustafa.
Deklarata e tij vjen në kohën kur në skenën politike po vazhdojnë diskutimet për mundësitë e krijimit të institucioneve të reja dhe format e mundshme të bashkëpunimit ndërmjet partive politike.



