
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit politike, duke akuzuar opozitën për, sipas tij, fushata të koordinuara shpifjesh dhe përpjekje për të bllokuar institucionet.
Në një postim në rrjetet sociale, Rrustemi tha se kundërshtarët politikë fillimisht e konsideruan fitoren e LVV-së në vitin 2021 si të rastësishme, por sipas tij, pas përsëritjes së fitoreve në tri palë zgjedhje brenda një viti, e kuptuan se nuk mund ta mposhtin këtë parti në mënyrë demokratike.

“Kur LVV fitoi mbi 50% më 2021, besuan se ishte aksidentale, duruan në pritje të mbarimit të mandatit. Kur fitoret e LVV-së u përsëritën tri herë brenda vitit, këta e kuptuan se me mjete demokratike nuk kanë asnjë mundësi”, ka shkruar Rrustemi.
Ai shtoi se, sipas tij, kundërshtarët politikë nuk e pranojnë sundimin e ligjit, ndryshimet në veri dhe procesin e çkapjes së shtetit.
“Prandaj duan bllokadë, jostabilitet, zhurmë, shpifje. Por kot e kanë!”, ka shkruar Rrustemi.



