
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku, ka bërë një krahasim ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe atij të Shqipërisë, Edi Rama, duke pretenduar se mes tyre nuk ka shumë dallime.
“Në esencë, nuk ka shumë dallim mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit. Të dy udhëheqin parti të majta. Të dy kanë prirje autoritare”, ka shkruar Sadiku.
Ai i ka krahasuar Kurtin dhe Ramën edhe për nga arsimimi, njohja e gjuhëve të huaja dhe krijimtaria artistike.
“Rama, të paktën, ka krijimtari artistike pas vetes. Piktura, ekspozita dhe vepra që mund të vlerësohen apo kritikohen. Kurti, deri më sot, nuk njihet për ndonjë krijimtari të ngjashme. As libër, as pikturë, as ndonjë vepër tjetër artistike”, ka shkruar ai.
Sadiku ka vlerësuar se të dy kryeministrat janë fitues të mëdhenj elektoralë, por ka pretenduar se kanë ndërtuar modele qeverisjeje në të cilat pushteti përqendrohet rreth një personi.
“Të dy kanë ndërtuar modele qeverisjeje ku pushteti përqendrohet rreth një njeriu. Institucionet, agjencitë dhe ndërmarrjet publike trajtohen si zgjatime të partisë. Besnikëria politike shpesh duket më e rëndësishme se profesionalizmi”, ka deklaruar deputeti i LDK-së.
Ai i ka kritikuar Ramën dhe Kurtin edhe për përfshirjen e tyre në politikën e shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë dhe Kosovës, veçanërisht në Maqedoninë e Veriut.
“Të dy përzihen në politikën e shqiptarëve jashtë kufijve të shteteve që udhëheqin. Veçanërisht në Maqedoninë e Veriut, ku në vend të bashkimit shpesh kanë kontribuar në përçarje”, ka shkruar Sadiku.
Sipas tij, të dy liderët flasin për teknologji, siguri kombëtare dhe gjeopolitikë, ndërkohë që qytetarët përballen me probleme elementare në arsim, shëndetësi dhe shërbime publike.
“Flasin për teknologjinë e së ardhmes, ndërkohë që nuk i kanë zgjidhur problemet e së tashmes. Këtu qëndron paradoksi më i madh”, ka vlerësuar ai.
Në fund, Sadiku ka thënë se fuqia politike dhe fitoret zgjedhore nuk janë dëshmi e suksesit në qeverisje.
“Këta të dy e kanë dëshmuar se dinë të fitojnë zgjedhje. Ende nuk e kanë dëshmuar se dinë të ndërtojnë shtet. Politikanë të fuqishëm, po. Liderë, jo. E patriotë, edhe më pak”, ka përfunduar Sadiku.



