
Kandidati i PDK-së për kryetar të Skenderajt, Sami Lushtaku, ka reaguar ashpër pas akuzave të kryeministrit Albin Kurti ndaj tij dhe pushtetit lokal në këtë komunë.
Lushtaku e ka quajtur Kurtin demagog dhe ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se i ka sjellë vendit përçarje, sanksione dhe prishje me aleatët ndërkombëtarë.
“Skenderaj nuk bëhet kurrë me ata që Kosovës i sollën vetëm përçarje, sanksione ndërkombëtare e prishje me aleatët tanë ndërkombëtarë – ShBA-të e BE-në – me të cilët Hashim Thaçi e Ushtria Çlirimtare e Kosovës krijoi miqësi nga malet e Kosovës në vitin 1998,” deklaroi Lushtaku.
Ai shtoi se qytetarët e Skenderajt “si gjithmonë, demagogëve do t’u thonë JO”, duke theksuar mbështetjen e tij për ruajtjen e ndikimit tradicional të PDK-së në këtë zonë.
Ky reagim erdhi menjëherë pas sulmeve të Kurtit, duke theksuar përplasjen mes qeverisë qendrore dhe strukturave lokale të PDK-së në Skenderaj, vetëm pak ditë para zgjedhjeve.



