Kryeziu-Hyseni i reagon Hazirit: Thanë se protestuesit kishin armë e bomba, sot kërkojnë kthimin e Ligjit për Specialen

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbreshë Kryeziu-Hyseni, ka reaguar pas konferencës së iniciativës “JO NË EMRIN TIM”, në të cilën u kërkua angazhim i koordinuar shtetëror lidhur me proceset gjyqësore ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Drejtuesi i kësaj iniciative, Çlirim Haziri, ka kërkuar të hënën nga institucionet e Kosovës veprime konkrete në raport me procesin në Hagë.

Kryeziu-Hyseni ka kujtuar tensionet që shoqëruan votimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke përmendur edhe deklaratat se mes protestuesve kishte persona të armatosur dhe me bomba.

“Imagjino, e kapën deputetin e moshuar, profesorin, e gjuajtën për të mos e lënë të dilte, sipas tyre, pa e votuar Ligjin. Pastaj thanë se nëse nuk do të votohej, nuk do të përfundonte pa gjak kjo punë. Pastaj thanë se shumë ishin të armatosur e me bomba atë natë. Vetëm e vetëm që Ligji të votohej”, ka shkruar deputetja e VV-së.

Ajo ka kritikuar iniciativën për kërkesën që Ligji të rishikohet dhe të kthehet nëse përmban gabime.

“Dhe sot dalin në konferencë, thonë: shiheni se mos ka ndonjë gabim në ligj e mos po duhet me e kthy mbrapsht”, ka shkruar ajo.

Kryeziu-Hyseni ka thënë se Vetëvendosje kishte kërkuar që ndryshimet ligjore të mos bëheshin me ngut.

“Edhe sa herë duhet të përfundojnë këta njerëz në fjalët e VETËVENDOSJE!-s: Mos u ngutni. Shikojeni mirë etj.”, ka përfunduar ajo.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.