
Kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku, është paraqitur në Stacionin Policor për intervistim, lidhur me incidentin e djeshëm me zëvendësministrin Hysni Mehani, njëherit Kryetar i Degës së VV’së atje, shkruan Reporteri.net.
Prokuroria Themelore e Mitrovicës tha mbrëmë se Lushtaku nuk i është përgjigjur ftesës për intervistim si i dyshuar.
Para Stacionit janë mbledhur një numër qytetarësh, madje pati edhe thirrje për grumbullimin e tyre. Aty shihet edhe djali i tij, ish-deputeti i PDK’së, Mërgim Lushtaku.
Ai ka shkruar një status në Facebook, ku ka njoftuqr se ka shkuar në polici.
“
Unë i përgjigjem Republikës, kombit dhe Zotit.
Si gjithmonë, edhe sot i përgjigjem drejtësisë.
I respektoj institucionet për të cilat unë dhe bashkëluftëtarët e mi kemi luftuar dhe kemi dhënë gjithçka.
Për dallim nga Albin Kurti, i cili nuk respekton as Policinë e as Prokurorinë, që Kushtetutën e shkel sa herë i konvenon politikisht, unë i respektoj dhe ju përgjigjem gjithmonë institucioneve të Republikës.
Bëj thirrje për qetësi dhe maturi ndërsa shpresoj që Prokuroria të mos instrumentalizohet, por ta kryejë punën e vet në mënyrë të pavarur, pa ndikime dhe pa presion”, ka shkruar Lushtaku.
Mehani ka akuzuar Lushtakun se e ka sulmuar, teksa ky ka mohuar akuzat.
Policia ka thënë se ka arrestuar dy persona lidhur me rastin dhe se të njëjtit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
“LËNDIM I LEHTË TRUPOR – Skenderaj 14.05.2026 – 12:15. Pas pranimit të një informate për rrahje në një lokal, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore. Si pasojë, dy persona kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për tretman mjekësor. Lidhur me rastin, janë identifikuar dhe arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë të cilët pas intervistimit me vendim të prokurorit dërgohen në mbajtje për 48 orë. Rasti nën hetime”, thuhet në raport./Reporteri.net



