Shaip Kamberi kërkon shkarkimin e Paunoviqit: Mblidhen 53 nënshkrime në Kuvendin e Serbisë

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka dorëzuar kërkesën me 53 nënshkrime për shkarkimin e ministres Paunoviq, që ditë më parë ka thënë se “po të ishte në vend të Millosheviqit, më 1998 do të spastronte etnikisht Kosovën nga shqiptarët”. Në Kosovë, pos që është shpallur person i padëshirueshëm, është marrë nismë edhe për padi ndaj saj, e reagime për këtë deklaratë janë bërë edhe në Beograd, Tiranë, Bruksel e Londër.

Me inicimin e deputetit të vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi dhe me nënshkrimet edhe të 52 deputetëve të tjerë në këtë vend, të enjten është dorëzuar kërkesa për shkarkimin e ministres serbe Snezhana Paunoviq.

Kamberi ka njoftuar se kërkesa i është dorëzuar kryeministrit të Serbisë, Gjuro Macut, pasi Paunoviq në një intervistë për “Tv Kurir”, ka thënë se “po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit, më 1998 do të spastronte etnikisht Kosovën nga shqiptarët”.

banner

Kjo deklaratë dhe të tjera të Paunoviqit, kanë nxitur një lum reagimesh në Kosovë, Serbi dhe vende evropiane.

Kamberi në postimin e tij, ka thënë se nismën e tij nuk e kanë përkrahur parti të komuniteteve pakicë në Serbi.

“Nëse Gjuro Macut refuzon të propozojë shkarkimin e saj, ai do të marrë përgjegjësinë për vazhdimin e mandatit të saj në këtë funksion dhe për normalizimin e një politike të tillë brenda Qeverisë së Serbisë. Fatkeqësisht, iniciativën tonë nuk e kanë mbështetur partitë e pakicave nacionale, të cilat janë pjesë e qeverisë. Pra, shkarkimin e ministres Paunoviq nuk e kanë përkrahur as partia boshnjake e Zukorliqit, as partia boshnjake e Lajiqit dhe as partia hungareze e Pastorit!”, ka shkruar Kamberi në Facebook.

Ndërkohë, vetë autorja e kësaj deklarate, e vlerësuar “provokuese, përçarëse e fashiste”, është deklaruar edhe të enjten. Ajo ka zgjedhur t’i kërkojë falje vetëm presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Kjo ishte historia ime, jo një deklaratë politike. Është e pakëndshme të më duhet të shpjegoj se kjo nuk është politika e presidentit apo e qeverisë”, ka thënë ajo në një intervistë për “Informer TV”.
Kërkimfalja e saj ndaj Vuçiqit është bërë pas presioneve të mëdha ndërkombëtare e edhe pas deklaratës së vetë Vuçiqit për Paunoviqin.

Vuçiq të mërkurën ka thënë se deklarata e saj ishte joserioze, por nuk është distancuar qartë nga ideologjia fashiste e shfaqur nga Paunoviq si projekt i Serbisë.

“Kjo deklaratë nuk pasqyron vullnetin dhe politikën e presidentit dhe të Qeverisë së Serbisë. Ne duhet të jemi të përgjegjshëm. Politika jonë është dialogu, kompromisi dhe bisedimet, e kurrë spastrimi etnik, pikë”, ka thënë Vuçiqi.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.