
I dërguari amerikan kërcënon Teheranin, pavarësisht sinjaleve të Trump për ulje të tensioneve.
Pas javësh të tëra përshkallëzimi të tensioneve, zyrtarët amerikanë dhe iranianë u përballën të enjten në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara ripërtëriu kërcënimet ndaj Republikës Islamike, pavarësisht përpjekjeve të presidentit Donald Trump për të ulur tensionet mes dy vendeve.
Shteteve të Bashkuara iu bashkuan edhe disidentë iranianë, të cilët dënuan ashpër shtypjen e përgjakshme të protestave mbarëkombëtare nga qeveria iraniane. Sipas aktivistëve, nga këto protesta janë vrarë të paktën 2,677 persona, raporton Associated Press.
“Kolegë, më lejoni të jem i qartë: Presidenti Trump është një njeri i veprimit, jo i fjalëve të pafundme siç shohim shpesh në Kombet e Bashkuara”, deklaroi para këshillit Mike Waltz, ambasadori i SHBA-së në OKB.
“Ai e ka bërë të qartë se të gjitha opsionet janë në tryezë për të ndaluar masakrën. Dhe askush nuk duhet ta dijë këtë më mirë se udhëheqja e regjimit iranian”, shtoi ai.
Komentet e Waltz vijnë në një kohë kur në rajon vazhdon të rëndojë perspektiva e hakmarrjes amerikane për vdekjet e protestuesve, megjithëse presidenti Trump ka sinjalizuar mundësinë e deeskalimit, duke deklaruar se vrasjet duket se po ndalen.
Deri të enjten, protestat që sfidonin regjimin teokratik në Iran dukeshin se po zbeheshin, ndërsa autoritetet shtetërore vazhdojnë ndërprerjen e internetit dhe të komunikimit për të kufizuar mobilizimin dhe informacionin publik.



