
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, e drejtuar nga Elisa Spiropali, hedh poshtë deklaratat e Serbisë, duke i cilësuar akuzat e saj si të pabaza dhe të mbështetura në një raport të diskredituar.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë ka reaguar pas deklaratës së Ministrisë së Jashtme të Serbisë, të datës 4 tetor 2025, duke shprehur “keqardhje të thellë” për përpjekjet e Beogradit për të rikthyer “hijet e së shkuarës mbi një rajon që po ecën drejt së ardhmes”.
Në reagimin zyrtar thuhet se akuzat e ngritura nga Serbia janë të pabaza dhe përbëjnë një përpjekje për të shtrembëruar të vërtetën historike. “Shqipëria i hedh poshtë me forcë dhe vendosmëri këto pretendime,” thekson deklarata.
MPJ-ja shqiptare kujton se ngjarjet tragjike të vitit 1999 u shkaktuan nga spastrimi etnik, vrasjet dhe dëbimi me forcë i rreth një milion shqiptarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre — për të cilat përgjegjësit janë tashmë të njohur në historinë evropiane.
Në reagim theksohet gjithashtu se është “për të ardhur keq” që Serbia ende mbështetet në “Raportin tashmë të diskredituar të Dik Martit”, kur hetimet ndërkombëtare kanë dëshmuar qartë se pretendimet e tij janë “një fabrikim i pastër, pa asnjë provë faktike”.
“Historia nuk rishkruhet me retorikë, ajo mbahet mend me përgjegjësi,” nënvizon Ministria shqiptare, duke e cilësuar çdo përpjekje për të ndërruar rolet e viktimës me ato të agresorit si të papranueshme dhe në kundërshtim me frymën e paqes e pajtimit që kërkon rajoni.
Në përfundim, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme thekson angazhimin e Shqipërisë për një “bashkëpunim gjithëpërfshirës rajonal në frymën e miqësisë, dinjitetit dhe përgjegjësisë”, duke nënvizuar se “vetëm përmes respektit të ndërsjellë dhe fqinjësisë së mirë mund të ndërtojmë një Ballkan të bashkuar në familjen evropiane”.



