banner

Simbolika e ditëlindjes: Çka tregon rikthimi i Ukë Rugovës për LDK-në e Lumir Abdixhikut?

Ukë Rugova, djali i vogël i presidentit të madh të Kosovës, Ibrahim Rugova, është rikthyer në skenën aktive politike. Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Uka do të garojë për herë të parë nën siglën e LDK-së, partitë që babai i tij e themeloi dhe drejtoi për gati dy dekada. Pse ky është sinjal i reformës së LDK-së nën drejtimin e Lumir Abdixhikut?

Uka nuk është i ri në politikë, pasi karriera e djalit të ish-presidentit Rugova zyrtarisht nisi në vitin e largët 2010. Atëbotë, Uka bashkë me Bujar Bukoshin, ish-kryeministër në ekzil i Qeverisë së Kosovës, themeluan Listën “LDK – Ibrahim Rugova”. Ishte një ndarje nga LDK-ja, pasi Uka dhe të tjerët u ndan të pakënaqur me zgjedhjet brenda partisë dhe ecurinë e partisë rugoviste.

banner

Më saktë, Uka e të tjerët nuk u pajtuan me zgjedhjen e Isa Mustafës në kryet të LDK-së, i cili i fitoi zgjedhjet e 7 nëntorit të vitit 2010, transmeton Gazeta Politika.

Në zgjedhjet e dhjetorit të vitit 2010, Lista “LDK – Ibrahim Rugova” nuk gjeti ujdi me LDK-në e vjetër, duke garuar në një listë me AAK-në e Ramush Haradinajt. Ishte pikërisht Uka njeriu që fitoi një ulëse në Kuvend, nga ku u nda prej AAK-së, duke lidhur koalicion me PDK-në për formimin e Qeverisë Thaçi II, shkruan Gazeta Politika.

Në ndërkohë nisën problemet ligjore të Ukës, nga të cilat pas shumë vitesh beteja në gjykatë u shpall i pafajshëm. Pra Uka u largua nga LDK-ja për shkak të pakënaqësive, ndërsa sot, pikërisht në ditëlindjen e ish-presidentit Rugova, u rikthyer për të garuar për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Më kohën, kjo listë do të shuhej, ndërsa në LDK do të garonte Teuta Rugova, e bija e ish-presidentit Rugova, e cila u zgjodh deputete në vitin 2017.

Sidoqoftë, pas një dekade e gjysmë, më në fund Uka gjeti paqen me LDK-në, tash nën drejtim të Abdixhikut. Pra Uka u largua pas zgjedhjes së Mustafës, i cili e udhëhoqi LDK-në deri në vitin 2021, për t’u rikthyer në vititn 2025 në LDK-në e Abdixhikut.

“Në ditëlindjen e Presidentit Rugova, pranova me nderimin më të madh kërkesën e Familjes Rugova që Ukë Ibrahim Rugova të jetë pjesë e listës sonë zgjedhore.

Sot, në 81-vjetorin e lindjes së arkitektit dhe prijësit tonë, vizitova zonjën Fana dhe Familjen Rugova. Në këtë vizitë zyrtarizuam dhe përfshirjen e Ukës në garën e radhës” – ka shkruar Abdixhiku, transmeton Gazeta Politika.

Ky rikthim shënjon një fitore simbolike të madhe për LDK-në e Abdixhikut. Si kurrë më parë, familja Rugova duket se qëndron prapa LDK-së. Për më shumë, LDK-ja për herë të parë do të ketë Ukën në listë për deputet, duke e tejkaluar carjen e Familjes Rugova me LDK-në në kohën e Mustafës.

Madje, kjo përkrahje është ndier edhe në zgjedhjet e fundit, kur Fana Rugova, gruaja e ish-presidentit Rugova, e përkrahu Abdixhikun.

“Po e vazhdoni atë rrugë. Faleminderit prej juve shumë për kujdesin në mënyrë përmanente për neve. Shumë bukur po ju shkon fushata. Shpresoj që do të kemi më 9 shkurt bindshëm fitore. Suksese, urime”, kishte thënë Fana Rugova para gati një viti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button