Specialja nis procesin për kompensim të viktimave në rastin “Thaçi dhe të tjerët”

Gjykata Speciale ka nisur procesin për kompensimin e viktimave në rastin e ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që një ditë më parë u dënuan me 81 vjet në shkallën e parë, nën akuzat për krime lufte.

Palëve u janë caktuar afate gjatë shtatorit dhe tetorit për të deklaruar nëse do të paraqesin prova lidhur me reparacionet, ndërsa përfaqësuesi i viktimave duhet të paraqesë kërkesën konkrete për reparacione deri më 14 tetor 2026, pas së cilës Prokuroria e Specializuar dhe Mbrojtja kanë afat deri më 4 nëntor për t’iu përgjigjur.


Pjesa e vendimit:

a) VENDOS që të zhvillojë procedurën për reparacionet dhe të nxjerrë një urdhër për reparacionet, në përputhje me nenin 22(8) dhe rregullën 168, me kusht që Mbrojtja të mos paraqesë kundërshtime;

b) URDHËRON Mbrojtjen që të paraqesë çdo kundërshtim lidhur me këtë çështje deri të martën, më 22 shtator 2026;

c) URDHËRON Përfaqësuesin e Viktimave dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) që të paraqesin përgjigjet e tyre deri të premten, më 25 shtator 2026;

d) URDHËRON Përfaqësuesin e Viktimave që ta informojë Trupin Gjykues dhe palët për çdo ndryshim në mënyrën e paraqitjes së provave, në përputhje me rregullën 168, deri të martën, më 22 shtator 2026;

e) URDHËRON që, nëse Përfaqësuesi i Viktimave ende dëshiron të paraqesë prova në përputhje me rregullën 168, ai duhet ta bëjë këtë deri të mërkurën, më 7 tetor 2026;

f) URDHËRON Mbrojtjen që ta informojë Trupin Gjykues, Përfaqësuesin e Viktimave dhe ZPS-në nëse synon të paraqesë ndonjë provë në përputhje me rregullën 168, deri të martën, më 22 shtator 2026;

g) URDHËRON Përfaqësuesin e Viktimave që të paraqesë kërkesën për reparacione deri të mërkurën, më 14 tetor 2026;

h) URDHËRON ZPS-në dhe Mbrojtjen që t’i përgjigjen kërkesës për reparacione deri të mërkurën, më 4 nëntor 2026;

i) URDHËRON Sekretarinë që ta riklasifikojë si publike Urdhrin e 6 nëntorit 2025, parashtresat e Përfaqësuesit të Viktimave të 17 nëntorit 2025 dhe parashtresat e ZPS-së të 17 nëntorit 2025, jo më vonë se të martën, më 22 shtator 2026;

j) URDHËRON Mbrojtjen që të dorëzojë versionet publike të redaktuara të parashtresave të Mbrojtjes të 17 nëntorit 2025, ose të kërkojë riklasifikimin e tyre, deri të martën, më 22 shtator 2026

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.