
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se përfundimi i luftës në Gaza është “shumë afër” që të arrihet dhe se ai planifikon që ta vizitojë rajonin, nëse finalizohet marrëveshja.
“Ne kemi një ekip të negociatorëve të mrekullueshëm dhe fatkeqësisht ka negociatorë të mrekullueshëm edhe nga pala tjetër” – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Ai shtoi se bota e vendeve arabe dhe myslimane është rreshtuar prapa planit të tij për Gazën. “Negocimi ynë përfundimtar është me Hamasin dhe duket se po shkon mirë” – tha Trumpi.
“Nëse kështu është puna, ne do të nisemi [për në Lindje të Mesme] ndoshta të dielën, ndoshta të shtunën” – tha më tej presidenti amerikan.
Edhe sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, tha më herët se Trumpi mund të udhëtojë drejt Lindjes së Mesme, nëse arrihet një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Gaza.
“Presidenti do të duhet ta marrë atë vendim, por unë pres që ai do të ishte i interesuar për ta bërë këtë, nëse do të funksiononte koha” – tha para gazetarëve sekretari i Shtetit, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
“Progres i mirë është bërë sot. Ngjarjet po lëvizin në drejtim të mirë, por ende është ca punë për t’u bërë” – shtoi diplomati i lartë.



