Visar Ymeri: Dështimi për formimin e qeverisë ishte i pritshëm – Vetëvendosje pritet të ketë rënie në zgjedhjet e ardhshme

Analisti politik thotë se metoda e LVV-së për sigurimin e shumicës ka qenë e dështuar dhe se zgjedhjet janë tashmë opsioni më i mundshëm

Analisti politik, Visar Ymeri, ka vlerësuar se dështimi i mandatit për formimin e qeverisë ishte plotësisht i pritshëm, pasi, sipas tij, tashmë për një kohë të gjatë ishte e qartë se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) nuk i kishte votat e nevojshme për ta siguruar shumicën parlamentare.

“Fakti që nuk i ka votat e mjaftueshme për qeveri është ditë për një kohë të gjatë, me përjashtim të tentim-mashtrimit të opinionit nga eksponentët e Vetëvendosjes, përfshirë edhe ish-kryeministrin Kurti, të cilët vazhdimisht thonin se i kanë votat, ndonëse shihej qartë se nuk i kanë,” tha Ymeri në një intervistë për dokumentarin Expose.

Sipas tij, metoda e përdorur nga LVV për ta siguruar shumicën parlamentare ka qenë “absolutisht e paefektshme, e padrejtë dhe e papranueshme”. Ai shtoi se në raste të tilla, kur nevojitet bashkëqeverisje, “marrëveshja politike është ajo që e zgjidh problemin, e jo peshkimi i deputetëve individual për t’i siguruar votat”.

Ymeri theksoi se zhvillimet pas zgjedhjeve dhe seancës konstituive të Kuvendit kanë qenë “bllokim i qëllimshëm” nga Lëvizja Vetëvendosje, duke shpresuar se partitë e tjera do të lodheshin dhe do të votonin për qeverinë.

“Në këtë drejtim, mendoj se si metodë ka qenë e dështuar që nga fillimi. Uroj që ta kenë marrë këtë mësim edhe LVV, siç e dinë edhe partitë e tjera, se gjëja më e rëndësishme është një marrëveshje transparente mes partive politike,” shtoi ai.

Analisti ka reaguar edhe ndaj deklaratës së Mimoza Kusari-Lilës, e cila kishte thënë se “ka deputetë të partive të tjera që e dinë se nuk zgjedhen dhe duhet ta votojnë qeverinë Kurti”.

“Për mua kjo është absurde. Ka deputetë të tillë edhe te LVV. Kjo është një lloj kërcënimi i butë ndaj deputetëve për të themeluar një qeveri përmes mjeteve jodemokratike,” tha Ymeri.

Ai vlerësoi se zgjedhjet janë tashmë opsioni më i mundshëm, me gjasa që ato të mbahen “kah mesi i dhjetorit”. Megjithatë, paralajmëroi se rezultatet e tyre mund të mos sjellin ndryshime të mëdha në raportet e forcave në Kuvend.

“Problemi është që këto zgjedhje mund të mos prodhojnë rezultat shumë të ndryshëm në numra, ndaj partitë duhet t’i shfrytëzojnë për të prodhuar një mentalitet tjetër politik,” tha ai.

Ymeri parashikon se Lëvizja Vetëvendosje mund të dalë sërish parti e parë, por me rënie në mbështetje elektorale.

“Unë pres që LVV të ketë rënie për dy arsye kryesore. Së pari, qeverisja e saj nuk ka pasur ndonjë performancë të veçantë. Së dyti, çështja e ashtuquajtur ‘çlirimi i veriut’ ka rezultuar e pavërtetë, sidomos pas rikthimit të kryetarëve të Listës Serbe në katër komunat veriore,” theksoi Ymeri.

Ai shtoi se përgjegjësia për bllokadën e deritashme i është “faturuar me të drejtë” Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit, duke theksuar se qytetarët pritet të reflektojnë ndaj kësaj situate në zgjedhjet e ardhshme.

Back to top button