Vjosa Osmani nuk tregon planin politik pas mandatit presidencial: Populli vendos për mua

Presidentja thotë se kontributin ndaj Kosovës do ta vazhdojë, qoftë në politikë apo në fushë profesionale, varësisht nga vullneti i qytetarëve.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk ka zbuluar nëse do të mbetet aktive në politikë edhe pasi t’i përfundojë mandati presidencial në pranverën e vitit të ardhshëm. E pyetur rreth së ardhmes së saj politike, Osmani ka thënë se vendimin për këtë e ka vetëm populli i Kosovës.

Ajo potencoi se angazhimi i saj ndaj Republikës së Kosovës nuk do të ndalet, pavarësisht se në cilën formë do të vazhdojë kontributi i saj.

“Unë nuk mendoj asnjëherë se ku do të jetë Vjosa Osmani, mendoj gjithmonë vetëm se ku do të mbetet Republika e Kosovës. Në qoftë se populli i Kosovës dëshiron që unë akoma të jap kontribut për Republikën tonë, atëherë do të vazhdoj ta jap atë kontribut. Nëse qytetarët e Kosovës nuk dëshirojnë të më shohin duke dhënë kontributin në politikë, unë gjej mënyra të tjera për të kontribuar për shtetin tim,” ka deklaruar ajo në një intervistë për DW.

Osmani paralajmëroi se do të mbetet pjesë e pandashme e vendit, duke theksuar se misioni i saj për Kosovën nuk lidhet vetëm me postet politike:

“Çka është me rëndësi është që unë do të vazhdoj të jem në Republikën e Kosovës, duke dhënë kontribut qoftë profesional, qoftë politik.”

Back to top button