
Grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës ka dorëzuar padi në Gjykatën Supreme kundër vendimit të kryetarit të Komunës për rritjen e çmimit të biletave të transportit publik.
Asamblistët e kësaj partie kanë kërkuar anulimin e vendimit dhe pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të tij deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës.

Sipas arsyetimit të tyre në padi, kryetari i Komunës, Përparim Rama, nuk ka kompetencë ligjore të caktojë çmimin e biletave të transportit publik. Kjo kompetencë sipas ligjit, arsyetojnë asamblistët, i takon Kuvendit Komunal.
Ata thonë se vendimi krijon trajtim diskriminues, “duke vendosur çmime të ndryshme për të njëjtin shërbim publik, vetëm mbi bazën e mënyrës së pagesës, pa një justifikim objektiv dhe proporcional”.
Po ashtu, grupi i VV-së shton se vendimi është marrë në kundërshtim me parimin e ligjshmërisë, duke mos respektuar procedurat dhe standardet që kërkon legjislacioni në fuqi.
“Vendimi nuk përmban as arsyetimin e detyrueshëm ligjor”, thuhet në komunikatën e asamblistëve që njoftuan për padinë./KOHA



