
Analistja Zana Avdiu ka reaguar pas publikimit të rezultateve të analizave të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), duke kritikuar reagimet e kompanive ushqimore ndaj kontrolleve.
Në një postim në rrjetet sociale, Avdiu tha se kundërshtimet ndaj inspektimeve nuk qëndrojnë pas publikimit të rezultateve.

“U tranuan, u rebeluan, i mbyllën kompanitë e derdhën qumështin, kërcënuan se do t’i lënë njerëzit pa punë. Pse? Se inspektorati na erdhi pa paralajmërim. E rezultatet e sotme i kallxojnë të gjitha”, ka shkruar ajo.
Avdiu theksoi se, pavarësisht debatit për ndikimin e vajit të palmës, konsumatorët duhet të informohen saktë për përbërjen e produkteve.
“Vaji i palmës mundet mos me qenë qaq i dëmshëm, qysh po mundohen me arsyetu. Por, përbërja duhet me qenë e saktë në etiketë”, ka shkruar ajo.
Sipas saj, cilësia e ushqimit në Kosovë mbetet shqetësuese, ndërsa kërkoi kontrolle të vazhdueshme në kompanitë ushqimore dhe markete.
“Inspektorët duhet të jenë çdokund. Në secilën kompani, sidomos në ato ushqimore. Të njëjtën duhet me ba edhe në markete”, ka shkruar Avdiu.



