
Ministria e Ekonomisë ka konfirmuar se një zyrtar i saj dyshohet se ka kërcënuar me armë zjarri eprorin e drejtpërdrejtë brenda objektit të institucionit.
Incidenti ka ndodhur më 9 nëntor, ndërsa rasti është raportuar në Policinë e Kosovës. Pas ndërhyrjes së organeve kompetente, i dyshuari është arrestuar, kurse dëshmitarët dhe personat e përfshirë kanë dhënë deklarata.
“Ministria e Ekonomisë e konsideron këtë sulm tejet serioz dhe të papranueshëm”, thuhet në reagimin e institucionit.
Ministria ka kërkuar që kërcënimet me armë, frikësimi dhe cenimi i sigurisë së njerëzve të trajtohen me përparësi nga organet e drejtësisë.
Sipas njoftimit, ndaj zyrtarit të dyshuar zhvillohej procedurë disiplinore që nga shtatori, për shkak të dyshimeve për shkelje të detyrave dhe përgjegjësive në punë. Institucioni nuk ka dhënë hollësi për natyrën e shkeljeve dhe mbetet e paqartë nëse procedura lidhej me mosmarrëveshjen që i parapriu incidentit.
Gazeta Nacionale ka raportuar se personi i kërcënuar dyshohet se është Dardan Bujupi, djali i ish-deputetes Donika Kadaj-Bujupi.
Ndërkaq, sipas informacioneve të publikuara fillimisht nga Gazeta Express, zyrtari Sami Shaqiri dyshohet se e ka kërcënuar me revole Bujupin, i cili është eprori i tij.
Rrethanat e plota dhe motivet e incidentit pritet të sqarohen gjatë hetimeve. Personi i dyshuar konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë



