Çitaku: Revoltës ndaj padrejtësisë në Hagë po i prijnë të rinjtë – mbrapa na keni

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar për protestat dhe kundërshtimet ndaj vendimit në Hagë, duke thënë se në ballë të tyre po qëndrojnë të rinjtë.

Në një shkrim në Facebook, Çitaku ka thënë se të rinjtë nuk po dalin për parti politike, por për UÇK-në dhe për lirinë.

banner

“Fëmijë pa ngarkesa ideologjike e partiake. Nuk dalin për parti. Dalin për UÇK-në. Dalin për liri”, ka shkruar Çitaku.

Ajo ka thënë se brezi i ri, ndonëse nuk e ka përjetuar Kosovën para çlirimit, e jeton çdo ditë, sipas saj, rezultatin e luftës së UÇK-së.

“Fëmijët e lirisë, të pakontaminuar nga rrëfimet e fabrikuara për UÇK-në. Ata veprën e UÇK-së nuk e njohin vetëm nga librat apo nga tregimet tona. Ata e jetojnë çdo ditë. E jetojnë në lirinë e tyre, në mundësitë e tyre, në të drejtën për të ëndërruar, për të folur, për të protestuar e për ta ndërtuar jetën e tyre në një shtet të lirë”, ka shkruar ajo.

Çitaku ka shtuar se të rinjtë “nuk e mbajnë mend Kosovën pa liri”, pasi kanë lindur në një shtet të lirë.

“Dhe pikërisht për këtë, sot po e mbrojnë atë me zërin e tyre. Faleminderit nga zemra. Mbrapa na keni”, ka përfunduar Çitaku.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.