Fikrim Damka konfirmon: Deputetët turq do ta votojnë Qeverinë Kurti 3

Kryetari i Partisë Demokratike Turke, Fikrim Damka, ka bërë të ditur se dy deputetët e komunitetit turk do të japin votën e tyre për formimin e Qeverisë Kurti 3, pas një marrëveshjeje me Albin Kurtin për përfshirjen e tyre në kabinetin e ri qeveritar.

Deputeti dhe njëherësh kryetari i Partisë Demokratike Turke (PDT), Fikrim Damka, ka konfirmuar se dy deputetët e komunitetit turk në Kuvendin e Kosovës do ta mbështesin formimin e Qeverisë Kurti 3.

Në një deklaratë për RTV21, Damka ka bërë të ditur se pas zgjedhjeve parlamentare të marsit, ai ka zhvilluar një takim me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, ku është arritur një marrëveshje për bashkëqeverisje.

Sipas tij, marrëveshja përfshin edhe ofrimin e postit të zëvendëskryeministrit për përfaqësuesin e komunitetit turk në qeverinë e re.

“Pas zgjedhjeve parlamentare në mars e kemi pasur një takim me Kurtin për krijimin e Qeverisë Kurti 3 dhe kemi rënë dakord që të krijojmë Qeverinë. Nuk besoj se gjatë kësaj kohe ka ndryshuar diçka. Në qoftë se të dielën do të votohet Qeveria Kurti 3, ne si dy deputetë të komunitetit turk do të votojmë, dhe sa më shpejtë të krijohet Qeveria sepse jemi shumë vonë”, ka deklaruar Damka.

Ai shtoi se komuniteti turk ka qenë pjesë e koalicionit edhe në Qeverinë Kurti 2, ku ka pasur përfaqësim me post ministror, dhe se pret që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në përbërjen e re qeveritare.

“Do të kemi postin e zëvendëskryeministrit në Qeverinë Kurti 3, ashtu kemi rënë dakord”, përfundoi Damka.

Back to top button